Arbëri

Komuna e Prishtinës pagoi mbi 40 mijë euro për koncertin e “Gjurmëve”

Komunës së Prishtinës koncerti për rikthimin e “Gjurmëve” i ka kushtuar rreth 45 mijë euro.

Këtë shifër si të përafërt e ka dhënë kryetari i Komunës Shpend Ahmeti i cili ka thënë se për saktësi duhet të komunikohet me Adrin Berishën, këshilltar i tij për kulturë.

Por Berisha ka qenë i pakontaktueshëm pasditen e së enjtes. Pavarësisht kësaj pagese të Komunës, të drejtat për xhirime i ka pasur vetëm një televizion privat. Asnjë tjetër nuk ka pasur mundësi të xhirojë asnjë minutë gjatë koncertit qoftë edhe për ta pasqyruar atë si lajm, shkruan sot "Koha Ditore".

“Kjo ka qenë kërkesë e bendit që e ka kërkuar të drejtën e transmetimit”, ka thënë kryetari Ahmeti.

Sa i përket biletave të shitura, për të cilat Ahmeti nuk ka qenë në gjendje të japë ndonjë shifër, është thënë se ato do të shkojnë në ndihmë të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.