Arbëri

Komuna e Prishtinës shënon përvjetorin me 20 aktivitete, asnjë më 11 qershor

Të shtunën e 15 qershorit do të zbresin në Prishtinë dy yjet shqiptarë të futbollit, Granit Xhaka dhe Milot Rashica.

Të dy do të formojnë nga një ekip dhe do të zhvillojnë një ndeshje miqësore në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Ky është njëri nga 20 aktivitetet e ndryshme që do të organizohen gjatë qershorit nga Komuna e Prishtinës, për ta shënuar 20-vjetorin e çlirimi.

Projekti që është quajtur 20/20 do të përmbajë aktivitete të ndryshme nga kultura, sporti dhe inovacioni, raporton emisioni “038” i KTV-së.

Sipas kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, aktivitetet do të prekin grupmosha të ndryshme, duke filluar nga fëmijët e deri te pensionistët.

Grupi i njohur muzikor “Gjurmët” do të performojë më 12 qershor në sallën 1 Tetori.

“Çikat e Prishtinës” do të jetë murali i madh në të cilin do të vizatohen portretet e yjeve shqiptare të muzikës botërore si Rita Ora, Dua Lipa dhe Era Istrefi.

Gjatë muajit të ardhshëm, për herë të parë, Komuna do ta rrisë mbështetjen financiare për Panairin e Librit, i cili sivjet mban edicionin e 21-të.

Filmat kosovarë të viteve të fundit do të shfaqen në kinemanë “Armata” nga 17 deri më 23 qershor në kuadër të Javës së Filmit.

Ndërsa është planifikuar që autorët të diskutojnë me qytetarët për krijimin e këtyre filmave.

Njëzet aktivitetet do të përfundojnë me garën e robotikës, e cila mbahet më 28 dhe 29 qershor.

I gjithë ky organizim, sipas kryetarit Ahmeti, ka kushtuar 300 mijë euro.

Në mesin e shumë aktiviteteve, Prishtina nuk ka planifikuar asnjë me 11 qershor që është Dita e Çlirimit të kryeqytetit.