Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë akuzuar qeverisjen e Shpend Ahmetit për dështim në realizimin e buxhetit dhe projekteve që vetë i ka paraparë, si dhe për mostransparencë rreth shpenzimit të buxhetit.
Shefi i asamblistëve të LDK-së, Agim Gashi, në një konferencë për media ka thënë të mërkurën se Komuna kishte planifikuar 3 milionë euro për shpenzimet e transportit publik, prej të cilave në tremujorin e parë të vitit janë shpenzuar vetëm 253 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas tij, kaq dihet publikisht në lidhje me zbatimin e planeve të Komunës për transportin publik, meqë nuk ka informata të tjera si do të shpërndahen këto mjete.
“Ku janë shpenzuar dhe ku do të shpenzohen mjetet e planifikuara për vitin buxhetor 2019, për shpenzimet e transportit publik, është një pyetje që do sqarim. Ndërsa Komuna asnjëherë nuk ka dhënë sqarime të qarta, por gjatë hulumtimit ne kemi konstatuar se kryetari Ahmeti ka nënshkruar një marrëveshje me ‘Trafikun Urban’ për kompensim në këtë fushë, nga i cili vetëm në tremujorin e parë ajo ndërmarrje ka përfituar 253 mijë e 194 euro”, ka thënë Gashi.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)