Arbëri

Tahiri thotë se Policia e kryeqytetit do të krijonte më shumë rregull në Prishtinë

Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka folur lidhur me akuzat që ju bënë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Prishtinë, se drejtoria që ai udhëheq po dënon qytetarët e varfër e sidomos shitësit ambulantë të cilët ndodhen në Shesh.

Ai e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se deri më tani asnjë shitës ambulant nuk është dënuar.

“Është gënjeshtër që gjobat më të mëdha janë dhënë në Shesh, sepse asnjë shitës ambulant nuk është dënuar ende. Momentin kur janë inspektorët në Shesh, ata shkojnë vet. Mund të ketë konfiskime por asnjëherë gjoba”, ka thënë ai.

Tahiri në emisionin “O38” në KTV, ka thënë se janë në pritje të udhëzimit administrativ për krijimin e Policisë së kryeqytetit.

Sipas tij, një organ i tillë i rendit, do të ua lehtësonte punën dhe do të vendoste më shumë rregull në kryeqytet.

“Ne vazhdojmë të jemi në pritje të udhëzimit administrativ që do të mundësonte zbatimin e ligjit. Për neve është e mirëseardhur Policia e kryeqytetit sepse do të na lehtësonte shumë punën, jemi duke i bërë presion Qeverisë që të arrijë të procedojë me atë pjesë”, ka thënë ai.

Ndërkaq ka folur edhe për vendimin e fundit për dënimin e kompanive që shpërndajnë fletushka.

Ai ka thënë se gjoba për secilin rast është 90 euro, derisa ka theksuar se u kanë bërë thirrje kompanive që të ndalin aktivitetet e tilla pasi që sipas tij gjobat do të rriten.

“Në këtë aktivitet punën më të madhe po e bëjnë qytetarët. 90 euro është gjoba për secilin rast, varësisht në sa hyrje janë ato fletushka, po ashtu shikohet edhe në secilin kat. Pra, gjoba prej 90 euro është për secilën hyrje apo kat që hasen fletushkat e asaj kompanisë. Ne ju kemi bërë thirrje kompanive që të tërhiqen nga një gjë të tillë sepse gjobat rriten”, ka shtuar ai.

Ai thotë se fletushkat nuk guxojnë të shpërndahen në rrugë, në hyrje kolektive, vetura por edhe para shtëpive.

Lidhur me transportuesit ilegalë, ai ka thënë se gjatë ditës situata është më e mirë mirëpo sipas tij janë duke punuar që të bindin taksistët të heqin dorë vetë.

“Edhe natën deri në një orë të caktuar ka inspektorë, gjatë ditës mund të them që situata është më e mirë. Jemi duke punuar që të heqin dorë vetë nga kjo dukuri, ata kanë thënë se kur të vijë Policia e kryeqytetit, do ta kenë shumë më të vështirë”, ka përfunduar ai.