Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, ka akuzuar qeverisjen e Shpend Ahmetit, se zotimet e fushatës për përfundimin e punëve të vogla infrastrukturore po i përmbush vetëm në profilin e Komunës në rrjetet sociale.
“Përfundimi i punëve të vogla infrastrukturore ka qenë një nga zotimet e fushatës së vitit 2017, por si duket ai premtim po përmbushet vetëm në profilin e Komunës në rrjetet sociale”, thotë Qendra e VV-së në Prishtinë, raporton Koha.net.

Përmes një postimi në Facebook, kjo Qendër ka njoftuar se aktivistët e saj kanë rregulluar hapësirën afër shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë për t’u mundësuar karrocave qasje në shkallë dhe trotuare si dhe kanë rregulluar zebrat afër kësaj shkolle.
“Në dy anët e shkollës ‘Ismail Qemali’ nuk ka qasje në shkallë e në trotuare për karrocat, e po ashtu nuk ka as zebra për kalimtarët e shumtë. Sot, me iniciativë të aktivistëve të pikës Bregu i Diellit, rregulluam këto dy hapësira në këtë lagje të harruar nga Komuna e Prishtinës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.