Greva e arsimit që u mbajt në muajin e parë të këtij viti përveç që ka ndikuar negativisht tek fëmijët, ajo ka dëmtuar financiarisht prindërit që i kanë fëmijët në çerdhet publike.
Prindërit janë detyruar që ta bënin shërbimin në këto institucione ani pse fëmijët e tyre nuk i dërguan në çerdhe sa vazhdoi greva në arsim. Ata kërkojnë kompensim, kërkesë kjo që ia kanë bërë Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, por që ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Prindërit për krejt këtë çka ka ndodhur paralajmërojnë padi në gjykatë.
Amir Haxhiu njëri nga prindërit i cili i ka fëmijët në institucionin publik parashkollor “Gëzimi ynë” në Prishtinë shprehet i indinjuar, sesi janë detyruar ta paguajnë muajin janar edhe pse fëmijët e tyre nuk kanë shkuar fare në çerdhe sepse kishte grevë.
“E kam paguar muajin janar dhe shkurtin. Nuk po presim kompensim, njëherë thanë se ndoshta po ua kompensojmë por tani thanë jo. Kemi bërë kërkesa, 100 ankesa por kot. Është dashur me na u kompensua por nuk po pyetemi ne, unë tre fëmijë i kam këtu, për të tretë paguaj. Më është dashur me këdo që kam mundur me u kujdes për fëmijët, i kam shpenzuar edhe 500 euro më së paku”, thotë Haxhiu.
E Muhamet Abdyli thotë se nuk e ka paguar çerdhen për muajin janar pa u marrë një vendim nga Këshilli i Prindërve, por që, sipas tij, është e papranueshme kjo për shkak se ata për tri javë kanë shpenzuar më shumë nëpër çerdhet private.
“Po presim të shohim se si vendos Këshilli i Prindërve me vepru tutje lidhur me pagesën e muajit janar. Prej komunës është konfirmuar se për momentin nuk mund t’u lirojmë për shkak gjithherë bëhet pagesa pavarësisht vijueshmërisë të fëmijëve”, thotë Abdyli.
Në kopshtin publik “Gëzimi ynë“ fëmijën e ka edhe Azem Duraku të cili nuk i duket në rregull mos kompensimi i parave.
“Po e kemi paguar. Kanë thënë se në ndërkohë se do e shqyrtojnë këtë çështje dhe do na njoftojnë, por ende nuk kemi ndërmarr ndonjë njoftim. Nuk është në rregull duhet të kompensohet pasi që shërbimin nuk e kanë kryer për atë pjesë që i kanë marr paratë”, tha Duraku.
Nderim Kamberi kryetari i Këshillit të Prindërve në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë” thotë se për kompensimin e pagesave për muajin janar i janë drejtuar Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë me ankesë të shkruar edhe elektronike, por që këta të fundit ende nuk iu kanë kthyer përgjigje. Madje ai ka paralajmëruar edhe padi ndaj komunës së Prishtinës dhe bojkotim të pagesave tjera nëse nuk u kompensohen mjetet e muajit janar.
Ai tha se disa përfaqësues të Këshillit janë takuar me disa përfaqësues të Drejtorisë Komunale për Arsim, por që përgjigja e tyre ishte se nuk ka bazë ligjore për t’i liruar nga pagesa, e këtë përgjigje Kamberi e quan jo profesionale.
“Deri me tash ende nuk kemi marr përgjigje (të cilën ka afat ta marrim deri me datën: 27.03.2019). Nëse nuk na kompensohen mjetet, ne konsultim me juriste do të procedojmë me padi edhe njëkohësisht do të ndërmarrim hapa tjerë të bojkotimit të pagesave që do t’i detyronim të ndërmarrin hapa më të shpejtë. Në anën tjetër kjo heshtje administrative e tyre na legjitimon që të ndërmarrim këta hapa”, thuhet në sqarimin e dërguar për KosovaPress nga Kamberi.
Ndërsa, drejtoresha e institucionit parashkollor “Gëzimi ynë“ në Prishtinë, Indire Zenelaj thotë se në këtë institucion mbi 90 për qind e prindërve e kanë bërë pagesën për muajin janar, ani pse fëmijët nuk kanë vijuar çerdhen për më shumë se gjysmën e këtij muaji.
Në anën tjetër, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi thotë se ata merren vetëm me kompensim të orëve të humbura gjatë grevës, ndërsa për të tjerat duhet të bëjnë zgjidhje DKA-të.
“Ne flasim për humbjen e orëve të cilat janë dëmtuar nxënësit, ndërsa në çerdhe ka qenë një problematika për familjet, por nuk është që është humbur diçka në mësim nxënien e këtyre ditëve, pasi që një pjesë e parashkollorëve dhe çerdheve nuk kanë ndonjë program të caktuar që mund të jetë themi një defekt në madh në humbje. Problemet tjera mund t’i zgjedhin përmes komunave sepse secili ka marrëveshje me komunë”, thotë Bytyqi.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi e konsideron të padrejtë këtë. Ai akuzon MASHT-in, duke thënë se për tema të ndjeshme në arsim gjithmonë përgjegjësinë po ia hedh DKA-ve.
Nga komuna e Prishtinës përmes telefonit i kanë thënë KosovaPress se çështja e pagesës për çerdhet publike gjatë muajit janar edhe pse kanë qenë në grevë, është vendim i kryetarit, Shpend Ahmeti dhe duhet të respektohet.
Pagesën e muajit janar për çerdhet publike e ka kundërshtuar edhe kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti i cili ka kërkuar që të kompensohen orët e humbura për të cilat prindërit kanë paguar edukatoret.