Arbëri

Banorët kundërshtojnë zhvendosjen e fakulteteve në “Breg të Diellit”, thonë se shkatërrohet gjelbërimi

Komuna e Prishtinës ka vendosur që Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore dhe ai Ekonomik, të zhvendosen në lagjen “Bregu i Diellit”, për shkak të kushteve të rënda në objektet aktuale të tyre.

Kjo është bërë me miratimin e propozim-vendimit për fillimin e hartimit të planit rregullues të hollësishëm për këtë lagje, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Mirëpo, një vendim të tillë po e kundërshtojnë banorët e kësaj lagjeje, të cilët thonë se ndërtimi në atë pjesë i shkatërron hapësirat e gjelbra.

Dren Shahini, banor i lagjes “Bregu i Diellit”, thotë se nuk kanë shumë informacione për këtë projekt, pasi ai fare nuk është debatuar në publik, para se të merrej vendimi në Kuvend.

Drejtori për Planifikim Strategjik në Komunë, Genc Bashota,thotë se realizimi i këtij plani është i domosdoshëm për shkak të gjendjes së këtyre fakulteteve.

Zhvendosja e këtyre fakulteteve, për asamblistin e LDK-së, Agim Gashi, nënkupton realizim të planit të nënkryetarit të Komunës, Selim Pacolli, për largimin e fakulteteve nga Kampusi Universitar.

Pacolli, gjatë fushatës për kryetar të Prishtinës, kishte prezantuar planin për zhvendosjen e Kampusit Universitar në hyrje të Prishtinës.

Por, ai mohon se zhvendosja e FSHMN-së dhe e Ekonomikut lidhet me planin e tij.

Pacolli ka thënë se nuk rrezikohet gjelbërimi, pasi, sipas tij, objekti do të ndërtohet prapa Fakultetit Teknik, në hapësirën e cila më herët ka qenë e dedikuar për Teatrin e Operas dhe Baletit.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka mirëpritur vendimin e komunës. Prorektorja për Buxhet dhe Financa, Myrvete Badivuku – Pantina thotë se kjo ka qenë kërkesë e tyre e kamotshme.

Ajo thekson se zhvendosja e këtyre dy fakulteteve, nuk ka të bëjë me planin e nënkryetarit Pacolli.

Rektorati planifikon që në të ardhmen në “Breg të Diellit” ta zhvendosë edhe Fakultetin e Shkencave Sportive, i cili përballet me mungesë hapësirash.