Gjykata Kushtetuese, ka marrë vendim pas ankesës së Arban Abrashit dhe LDK-së, në lidhje me zgjedhjen e Shpend Ahmetit, atëherë pjesë e Vetëvendosjes, kryetar të Komunës së Prishtinës.
Kërkesa u parashtrua nga Arban Abrashi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Atë kohë, Abrashi ishte kandidat për Kryetar të Komunës në zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe para kësaj Gjykate u paraqit në cilësinë e individit, përkatësisht personit fizik, ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ishte subjekti politik përmes të cilit Arban Abrashi garonte për Kryetar të Komunës së Prishtinës.
Gjykata, njëzëri, refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesve të kërkesës për seancë dëgjimore sepse nuk konsideroi se kishte ndonjë paqartësi rreth “provave apo ligjit”. Gjykata, përmes një njoftimi, thotë se konstatoi se dokumentet e përfshira në kërkesë janë të mjaftueshme për të vendosur meritat e këtij rasti, transmeton Koha.net.
“Parashtruesit e kërkesës, në thelb, pretenduan se Gjykata Supreme, por edhe PZAP-i, në procedurat e zhvilluara për shqyrtimin e ankesave dhe apeleve të tyre, kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tyre të garantuara me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe, për pasojë, vendimet e këtyre autoriteve publike, kanë rezultuar në shkelje të të drejtave të tyre zgjedhore dhe të pjesëmarrjes të garantuara me nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese e deklaroi kërkesën të pranueshme për shqyrtim në merita pasi konstatoi se parashtruesit e kërkesës janë palë të autorizuara; kontestojnë vendime të autoriteteve publike; kanë shteruar mjetet juridike siç është elaboruar në Aktgjykim; kanë saktësuar të drejtat dhe liritë themelore të cilat pretendojnë se janë shkelur; kanë dorëzuar kërkesën brenda afatit; kërkesa nuk është qartazi e pabazuar; dhe Gjykata nuk gjeti asnjë kusht tjetër të pranueshmërisë i cili nuk është plotësuar. Si rrjedhojë, kërkesa e kaloi testin e pranueshmërisë dhe u shpall e pranueshme për shqyrtim në merita”, thuhet në komunikatë.
Para shqyrtimit të meritave të rastit, Gjykata e trajtoi çështjen e juridiksionit të saj lidhur me kontestet zgjedhore. Në këtë drejtim, Gjykata sqaroi kompetencën e saj kushtetuese për sa i takon kërkesave individuale lidhur me kontestet zgjedhore, duke theksuar se ajo në këtë aspekt, është e kufizuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, përkatësisht në vlerësimin nëse një akt i autoritetit publik mund të ketë shkelur të drejtat dhe liritë themelore përkatëse individuale dhe pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
"Gjykata më pas trajtoi të gjitha pretendimet e parashtruesve të kërkesës në veçanti dhe në tërësinë e tyre, duke aplikuar mbi këtë vlerësim: (i) garancitë kushtetuese që ndërlidhen me të drejtat e kontestuara, nenin 45 e 54 të Kushtetutës, respektivisht; (ii) parimet themelore që rezultojnë nga trashëgimia evropiane për zgjedhje demokratike të përmbledhura nga Komisioni i Venecias; dhe (iii) praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ)”, thuhet tutje.