Abrashi: Lajmet për një pazar të mundshëm politik mes Ahmetit e PAN-it, shqetësuese

Abrashi: Lajmet për një pazar të mundshëm politik mes Ahmetit e PAN-it, shqetësuese

Salie Gajtani Osmankaq Salie Gajtani Osmankaq 22 janar 2019 13:34

Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se janë shqetësuese lajmet për një pazar të mundshëm politik mes kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe koalicionit qeverisës, PAN.

“Lajmet nëpër media, por edhe deklarimet e disa gazetarëve, që ka pazar politik mes Shpendit e PAN-it për ruajtjen e pozitës së tij, janë shqetësuese. Vënia në pikëpyetje e paanshmërisë dhe profesionalizmit të Gjykatës Kushtetuese do të duhej të shërbente si alarm për shoqërinë në përgjithësi”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se beson në drejtësi, sepse, siç tha ai, kërkesa e tij është arsyetuar duke u bazuar në praktikën e gjykatave kushtetuese evropiane dhe mbi 5 opinione të komisionit të Venecias të cilat kanë të bëjnë me të drejtën zgjedhore.

“Për më tepër vet Gjykata Supreme në vendimet e saj deklaron se nuk e ka trajtuar kushtetushmërinë e ankesave të mia gjatë procesit zgjedhor, duke e bërë qartazi të vërejtshëm faktin se janë shkelur të drejtat e mia gjatë tërë procedurës, sepse pretendimet e mia kanë qenë të ngritura në të gjitha fazat në nivel kushtetues, jo thjeshtë në çështje ligji”, ka thënë më tej Abrashi në një deklaratë për “Kohën Ditore”.

Sipas tij, shqetësues është edhe fakti se vendimi është dashur të merrej më së largu në fillim të qershorit të vitit të kaluar, sepse ashtu përcaktohen afatet e vendosjes me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse Gjykata ka pasur nevojë për kohë më të gjatë, është dashur të vendosë masën e përkohshme dhe të mos lejojë dëmtimin e të drejtave të mia edhe më tej. Gjithashtu, nëse ju referoheni vendimeve të publikuara nga Gjykata, vëreni se janë trajtuar shumë raste më të komplikuara e të cilat janë dorëzuar pas rastit tim. Këto fakte të përcjella me deklaratat e gazetarëve nëpër emisione publike apo edhe lajmeve që qarkullojnë nëpër media, shtojnë dyshime pse është prolonguar vendosja e një rasti në të cilin shkeljet përpos që janë arsyetuar thelbësisht, konfirmohen edhe nga vet instancat e mëhershme”, është shprehur ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arban Abrashi.

Ndërkaq, sipas burimeve të Koha.net, Gjykata Kushtetuese pritet që nesër të dalë me vendimin për rastin e Abrashit.

Abrashi e ka çuar në Kushtetuese zgjedhjen e Shpend Ahmetit për Kryetar të kryeqytetit në mars të vitit të kaluar, rast i cili ka të bëjë me vlerësimin e zgjedhjeve të raundit të dytë të balotazhit në Prishtinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme