Arbëri

Ahmeti paralajmëron padi ndaj VV-së për akuzat që po ia bëjnë për tenderin e qumështit

Foto: Koha / ilustrim

Sot, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë mbajti konferencë për media në lidhje me, siç thonë ata, keqpërdorimet në tenderin për qumështin në Komunën e Prishtinës. Deputetja Fitore Pacolli tha se qëllimi i këtij projekti si i shumë projekteve e punëve të tjera ishte edhe luftimi i pabarazisë duke filluar që nga shkollat fillore.

“Kur filloi ky projekt ne kishim 200 000 € në dispozicion dhe kërkuam nga kompanitë që të ofertojnë. Deri në vitin 2018 qumështi në shkollat fillore u pagua me 200 000 €. Por në vitin 2018 ndryshoi gjithçka. Komuna nuk paguan si më parë, pra 200 000 €, por 733 698 €. Si u bë kjo? Si arriti Komuna ta parashikoj, vlerën e tenderit për sasinë dhe cilësinë e njëjtë të qumështit në vitin 2018 që doli 300% më e shtrenjtë sesa atë që kishte parashikuar në vitin 2017? Ku është bazuar zyra e Kryetarit? A ka pasur zyra e Kryetarit ndonjë dokument zyrtar ku sqarohet se për shkaqe të ndryshme çmimi i qumështit në treg është shumëfishuar? Deri më tani Kryetari i Komunës nuk ka dhënë asnjë sqarim se në çfarë baze ka vendosur vlerën e parashikuar në tender”, tha Pacolli.

Por në një postim në Facebook të kryetarit Shpend Ahmeti, gjatë një bisede me një qytetar, Ahmeti ka thënë se nuk merret me gënjeshtra dhe se Vetëvendosjen, e pret padia.

Image

Valdrin Ahmeti në fjalën e tij tha se hapja e hetimeve nga prokuroria ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për tenderin për furnizimin me qumësht është edhe një dëshmi që ato që janë thënë edhe në konferencat e reagimet e kaluara edhe argumentimet në kallëzimin penal kanë qenë të sakta.

“Vlera e parashikuar e tenderit, në njoftimin për vitin 2017 është 200 000 €, përderisa për vitin 2018, vlera e parashikuar e tenderit është 730 000 €. Komuna duhet ta sqarojë pse e rriti parashikimin për 530 000 € kur nuk pati asnjë arsye për ta bërë këtë. Pse Komuna nuk e parashikoi edhe njëherë me 200 000 €. Ndoshta ndonjë operator ekonomik do të ofertonte përsëri me 200 000 €. Sasia për furnizim edhe në njoftimin për kontratë edhe në kontratën e nënshkruar është i njëjti si për vitin 2017 si për vitin 2018: 3 668 490 copë. Për vitin 2017 sikurse që planifikuar Komuna, pra saktësisht sa vlera e parashikuar e tenderit, pra 200 000 € nënshkruhet kontrata me Devolli sh.p.k. Ndërsa për vitin 2018 nënshkruhet kontrata me vlerë 733 698 € me Abrazen L.L.C. e cila është kompani e regjistruar me kapital nga Malta, që njihet si një nga parajsat për shpërlarje parash. DALLIMI ËSHTË 533 698 €!” tha ndër të tjera Ahmeti.

Por, kjo s’është përplasja e parë mes Vetëvendosjes dhe kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti.

Tenderi i qumështit për fëmijët, ka disa kohë që ka ngjallur përplasje mes tyre, dhe Ahmeti, ka paralajmëruar se do t’i padisë.