Termokosi thotë se qytetarëve u zbritet nga fatura çdo ndërprerje në furnizim me ngrohje

Mehmet Krasniqi Mehmet Krasniqi 12 January 2019 13:37

Për 10 orë, i gjithë qyteti i Prishtinës, në temperatura deri minus 13 gradë celcius ka mbetur ka ngrohje qëndrore, mes së dielës dhe së hënës të kësaj jave.

Shkak për këtë është bërë djegia e një kablloje të energjisë elektrike që furnizon Termokosin me energji, raporton 038 në KTV.

Sipas kësaj të fundit, problemet janë shfaqur edhe si pasojë e ndërprerjeve të paparalajmëruara të energjisë nga ana e KEDS-it.

Banorët ankohen se në këto ditë të ftohta nuk është normale ndërprerja e ngrohjes.

Në ngrohtoren e qytetit thonë se tashmë gjendja me furnizimin të ngrohjes qendrore është stabilizuar.

“Që nga e marta ne kemi furnizuar në mënyrë të mjaftueshme dhe cilësore të gjithë konsumatorët tanë me ngrohje qëndrore. Mund të ketë aty-këtu ndonjë problem të theksuar për shkak të problemeve teknike që mund të ndodhin në rrjetin sekondar të ngrohjes, të cilat edhe ashtu nuk janë përgjegjësi ligjore të Termokosit për t'u riparuar, por në mungesë të ndonjë këshilli që do të merrej me to apo banorëve, me rregullore të ZRRE-së na është lejuar edhe ndërhyrja në rrjetin sekondar të ngrohjes, në mënyrë që konsumatorët tanë të mos mbesin pa ngrohje në këto ditë të ftohta dimri”, ka thënë Afërdita Uka Fejzullahu, zëdhënëse në Termokos.

Uka-Fejzullahu ka deklaruar se në rastin e këtij defekti nuk ka qenë i mundur përdorimi i mazutit, si alternativë për të siguruar ngrohje, për shkak se siç ka thënë, pajisjet e tyre shpenzojnë një kapacitet shumë të lartë të energjisë elektrike.

Termokosi nuk e ka asnjë gjenerator që do të mund të funksionalizonte sistemin e madh të koogjenerimit për prodhimin e energjisë, ngase sipas ngrohtores, nevojitet kapacitet shumë i lartë.

"Ne kemi një gjenerator i cili është i mjaftueshëm vetëm sa për të mbajtur vitale pjesën kryesore të këtyre pajisjeve, sa për të mos dështuar apo për të mos u rrezikuar mirëqenia e kësaj pajisjeje, por jo edhe për të prodhuar energji ngrohëse", ka thënë ajo.

Uka-Fejzullahu ka bërë të ditur se një gjenerator i tillë nuk ekziston në Kosovë, por pas situatës së paraqitur me KEDS-in, do të shqyrtohet mundësia e sigurimit të një gjeneratori të kapaciteteve shumë të larta.

Banorë të lagjeve si "Bregu i Diellit" e "Ulpiana" janë ankuar për nivel të ulët të ngrohjes. Kjo, sipas zëdhënëses së Termokosit ndodh si pasojë e rrjetit të vjetër dhe se po punohet në përmirësimin e gjendjes.

Derisa ka shtuar se për qytetarët që kanë ndërprerje të ngrohjes, do të ketë zbritje në faturat e tyre.

"Ne jemi shumë të kujdesshëm në faturimin ndaj këtyre banorëve për shkak se çdo ndërprerje e furnizimit me ngrohje, automatikisht është zbritje nga fatura e tyre e ngrohjes, qoftë nëse është në pyetje edhe për disa orë mungesa e energjisë termike, ata do të kenë zbritje nga fatura e tyre për një ditë të plotë nëse atë ditë nuk janë furnizuar si duhet me ngrohje".

Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë kanë thënë se nuk mund të marrin ndonjë masë për shkak të probleme teknike të Termokosit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme