Konfirmohet zotimi i Komunës së Prishtinës me BERZH-in për investime në projektin “Qyteti i Gjelbër” Foto: Komuna e Prishtinës

Konfirmohet zotimi i Komunës së Prishtinës me BERZH-in për investime në projektin “Qyteti i Gjelbër”

21 November 2018 09:37

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nënshkroi sot Konfirmimin e Zotimit për Bankën Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), në emër të Komunës së Prishtinës, për Prishtinën Qytet të Gjelbër.

Komuna thotë se qëllimi i këtij Konfirmimi është rritja e bashkëpunimit mes dy institucioneve për të promovuar projektet e veçanta në kuadër të idesë për Qytetet e Gjelbra (Green Cities).

“Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të sigurojë fonde për ta mbuluar koston e këshilltarëve që do ta bëjnë hartimin e Planit të Veprimit për Qytetin e Gjelbër, këshilltar që do të angazhohen si ekspertë të fushës përmes rregullave të prokurimit të BERZh-it. Komuna e Prishtinës do të angazhohet në përpilimin dhe zbatimin e këtij plani përmes krijimit të një Komiteti Drejtues, që do të udhëhiqet nga një zyrtar i caktuar komunal; mbledhjes së informacioneve të nevojshme në kohën e duhur; dhe caktimit të personave përgjegjës që do të bashkëpunojnë me këshilltarët e angazhuar nga BERZh-i”, thotë Komuna e Prishtinës në një njoftim për media.

Më tutje thuhet se palët do të bashkëpunojnë në përgatitjen, financimin dhe zbatimin e së paku një projekti në vlerë prej 2 deri në 150 milionë euro, që ka të bëjë me: menaxhimin e mbeturinave të ngurta; ujërat e zeza; ndriçimi publik; transporti urban; si dhe efikasiteti i energjisë dhe energjia e ripërtërishme.

Është paraparë që projekti i parë që do të vijë si rezultat i këtij Konfirmimi të nënshkruar sot, të jetë “Prishtina Public Building Projekt”, që ka të bëjë me masat për efikasitet të energjisë në ndërtesat publike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme