Arbëri

Kontejnerët përreth shkollave të Prishtinës të mbushur me kifle që komuna i shpërndan për nxënës

Ekipi i emisionit 038 në KTV ka qenë në disa shkolla të Prishtinës, rreth të cilave ka kohë që kontejnerët po mbushen me kifle, për shkak të mos konsumimimit të tyre nga shumë nxënës.

Nxënësit thonë se qe 2 javë po u servohet kiflja e njëjtë.

Në shkollën “Hasan Prishtina” e “Ismail Qemali” kontejnerët janë të mbushur me kifle.

Megjithatë, në kontejnerët e shkollës “Model” nuk është parë ndonjë kifle e hedhur.

Mësuesit këtu thonë se kiflet e mbetura ua dhurojnë fëmijëve në nevojë ose mirëmbajtësve të shkollave.

Por, ndonëse po i konsumojnë ato, fëmijët në shkollën “Model” thonë se ju mungojnë kiflet me djathë e krem çokollate, të cilat ka disa javë që nuk i kanë marrë.

Por, në këtë shkollë, fëmijët kanë mundësi të ushqehen edhe në kuzhinën e shkollës, ose të marrin ushqim nga shtëpia.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se do ta verifikojë edhe kontratën edhe zbatimin e saj në lidhje me shujtën.

Kritika për cilësi të dobët ka dhënë LDK-ja.

E në kompaninë fituese thonë se ata i shpërndajnë kiflet në bazë të menysë që e ka përcaktuar komuna. Ata thonë se kiflet me djath dhe krem çokollate nuk janë fare pjesë e kontratës por u dërgohen fëmijeve në baza vullnetare.

“Edhe pse këto lloj shijesh nuk janë të cekura në kontratë, Premium Bakery këto shije vazhdon t’i ketë në menynë e saj, më konkretisht, këto shije, si psh ‘Croissant me shije Eurocream’ është servu ditën e hënë me date 12.11.2018 si dhe vazhdon edhe 2 herë gjatë këtij muaji kurse ‘Croissant me djath’ është shërby 4 herë gjatë muajit Tetor (1 herë në javë), kurse gjatë këtij muaji ‘Croissant me Djath’ vazhdon nga e Hëna dhe përsëritet gjatë muajit Nëntor minimalisht edhe 2 herë. Edhe pse në kontratë janë të cekura vetëm 4 shije, ne në meny kemi mbi 9 shije të Croissanteve të cilat i ofrojmë”, ka thënë Tigran Dedi nga Premium Bakery.

Megjithatë, javën që lamë pas, Ahmeti udhëtoi për në Kamenicë, ku Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, nisi me shpërndarje të shujtës së njëjtë si në Prishtinë.