Arbëri

Ekspertët thonë se ndotja e ajrit në kryeqytet nuk është alarmante

Matjet e cilësisë së ajrit nga Ambasada Amerikane në Prishtinë kanë treguar shkallë të lartë të ndotjes, mbrëmjen e së martës.

Por, Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit thotë se, bazuar në 12 stacionet e tij, ndotja e ajrit nuk është alarmante, raporton KTV.

Sipas matjeve të Ambasadës Amerikane, ajri është në shkallën më të lartë të ndotjes, që nga dimri i kaluar.

Në këtë agjension e pranojnë se ka tejkalime, por tregojnë një varg veprimesh që janë duke i ndërmarrë, në mënyrë që të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së ajrit.

Njohës të çështjeve të mjedisit thonë se ndotja e ajrit është shkaktuar pas rënies së temperaturave, por edhe për shkak të mungesës së erërave dhe përdorimit të thëngjillit për ngrohje.

Komuna e Prishtinës, në janar të këtij viti, kur ndotja e ajrit ishte alarmante, kishte marrë vendim që ta ndalojë qarkullimin e automjeteve brenda qendrës.

KTV-ja e ka pyetur Komunën lidhur me masat dhe çfarë ka qenë duke punuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Prishtinë, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.