Gjysma e Prishtinës në hall me kanalizimet, Ahmeti gjen shkaktarët

03 November 2018 14:09

Ujërat e zeza mbesin problem i madh në kryeqytetin e Kosovës edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës.

Javën e kaluar, Komuna e Prishtinës u detyrua të shpallte gjendje të jashtëzakonshme, për të intervenuar në afërsi të një blloku banesor në afërsi të rrugës “B”.

Por, gjendje aspak më e mirë nuk është as përgjatë kolektor të hapur të ujërave të zeza në dy lagje, raporton 038 në KTV.

E rëndë vazhdon të jetë gjendja ambientale përgjatë rrjedhës së lumit Mat, në lagjen me të njëjtin emër dhe atë “Kalabria”. Kjo, pasi ky lumë ka kohë që shërben si mbledhës i ujërave të zeza dhe kundërmimi në të është bërë i padurueshëm.

Madje, banorë të Kalabrisë thonë se komuna është dashur të shpallë gjendje të jashtëzakonshme edhe në këtë pjesë, pasi kundërmimi është bërë i padurueshëm.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, vazhdon të thotë se problemet me shpronësimin po mbajnë peng vazhdimin e punimeve për mbylljen e kolektorit.

Por, shton se do të shqyrtojë mundësinë e intervenimit emergjent.

Ahmeti, i cili thotë se probleme me kanalizimin ka gjysma e kryeqytetit, fajin e hedh te ndërtimet dhe kyçjet e parregullta e pa leje në rrjetin e kanalizimit.

Sipas tij, problemi qëndron te dallimi i madh mes investimeve në ndërtim dhe infrastrukturë që nga paslufta, ndërsa një pjesë e zgjidhjes është ndërtimi i dy kolektorëve që do të lidheshin me fabrikën për trajtimin e ujërave të zeza.

I pari i kryeqytetit këmbëngul se pas ujit, kanalizimi është prioritet, porse për këtë punë, duhen investime milionëshe në plan afatgjatë, pasi më nuk mund të vazhdohet me intervenime të përkohshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme