Arbëri

S’ka paqe në Prishtinë mes pozitës e opozitës – edhe sot pati ofendime e përplasje mes tyre

Me përplasje ka kaluar edhe vazhdimi i mbledhjes së nëntë të Kuvendit të kryeqytetit.

Me të nisur seanca, kryesuesi Agim Kuleta kërkoi votim të menjëhershëm lidhur me propozimin për shkarkim të aksionarëve komunalë në Ndërmarrjen Publike Banesore, raporton KTV.

Por, kjo u parapri nga dorëheqja e Suzan, Kikës nga pozita e anëtares në Komisionin Komunal të aksionarëve në ndërmarrje.

Përderisa kryesuesi e hodhi propozimin për shkarkim të anëtarit tjetër të mbetur në këtë komision, asamblistët e Lidhjes Demokratike kërkuan fjalën, por Kuleta vazhdoi me votimin.

23 nga 26 votat ishin kundër shkarkimit, ndërsa LDK-ja nuk votoi dhe lëshoi sallën në shenjë revolte që nuk iu dha fjala.

Sallën e lëshuan edhe asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa kuorumin për vazhdim të seancës, partive në pushtet ua bëri PDK-ja.

Por, pak minuta më vonë, kur po diskutohej për ndërmarrjen “Hortikultura”, të dy partitë u kthyen në sallë.

Seanca vazhdoi me përplasje e ofendime ndërmjet asamblistit të PSD-së Nol Nushi, dhe Egzon Azemit të Vetëvendosjes.

Nushi ofendoi Azemin përsëri, pasi ky i fundit ironizoi me të, duke thënë se nuk ia kishte përmendur emrin në replikën e parë.

Ndër momentet e rralla kur në mbledhje pati rend, ishte bashkimi për të votuar rekomandimet për përmbushje të kuotës ligjore për punësim për personat me aftësi të kufizuara në komunë dhe në ndërmarrjet e saj.