Komuna thotë se bileta mujore e “Trafikut Urban” do të vlejë edhe për privatët, por s’përmend afat Foto: Ilustrim

Komuna thotë se bileta mujore e “Trafikut Urban” do të vlejë edhe për privatët, por s’përmend afat

28 October 2018 10:30

“Trafiku Urban” në Prishtinë që nga janari i këtij viti u ka ofruar mundësi qytetarëve që përdorin autobusët si mjet transporti të pajisen me biletë mujore, mirëpo kjo biletë nuk vlen edhe për autobusët e operatorëve privatë.

Qytetarët, për të pasur një biletë mujore duhet të paguajnë shumën prej 14 eurove, ndërsa nxënësit 12 euro dhe këtë biletë mund të shfrytëzojnë pa limit në linjat e “Trafikut Urban”. Megjithatë, qytetarët kërkojnë që bileta të jetë gjithëpërfshirëse dhe të vlejë në të gjitha linjat.

Çdo ditë me autobusë udhëton për në punë qytetarja Selime Dermaku, e cila thotë se do të ishte shumë mirë që bileta mujore të vlejë për të gjithë autobusët.

E pasi që nuk vlen për të gjithë autobusët, ajo thotë se nuk ka marrë ndonjëherë biletë mujore.

“Të kesh një biletë një mujore është shumë më mirë, por çdo autobus e ka biletën e vet mujore. Për shembull, unë e nxjerri për 7A, ndërsa në autobusin e linjës 7 nuk kam të drejt të hipi me atë biletë, kështu nuk na konvenon t’i marrim për çdo autobus biletat, nuk është kurrgjë në rregull”, është shprehur ajo për Kosovapress.

Njëjtë mendon edhe qytetarja tjetër NazmijeVeseli, e që thotë se nuk ka llogari të paguajë biletë mujore dhe kur shfrytëzon autobusët e operatorëve privatë të paguajë përsëri biletë.

“Si qytetare, mendoj që është mirë që çdo qytetar të ketë biletën mujore në rast se e ka të caktuar një drejtim, po e zëmë këta që udhëtojnë për Hajvali, Breg të Diellit, që e kanë çdo ditë. Pasi që kishte me qenë mirë edhe për shkak të kursimit të të hollave”, ka thënë ajo.

Edhe Sadije Hyseni, thotë se bileta mujore do të duhej të vlente për të gjithë autobusët që operojnë në kryeqytet.

“Kish me qenë mirë si për nxënësit, si për punëtorët, të kenë një biletë që të udhëtojnë si në 1-sh, si në 2-sh, 3-sh, 4-sh”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, zyrtarë të “Trafikut Urban” thonë se deri më tash nuk kanë pasur ndonjë bashkëpunim me operatorët privatë që bileta mujore të vlejë edhe për ta.

Udhëheqësja e Divizionit të Kontabilitetit në “Trafikun Urban”, Shukrije Morina, ka thënë se bileta mujore vlen vetëm për linjat në të cilat operojnë autobusët të cilën janë të “Trafikut Urban”.

“Bileta mujore e integruar është një biletë mujore me të cilën qytetarët mund të pajisen dhe të shfrytëzojnë të gjitha linjat, të gjithë autobusët e ‘Trafikut Urban’, pa kufizime. Mund të shfrytëzojnë linjën 1, linjën 3, 3C, linjën 4, linjën 7C si linjë e re në ‘Trafikun Urban’ dhe linjën 15 e cila është linja Prishtinë-Keqekollë. Bileta e integruar është një biletë të cilën mund të pajisen qytetarët nga momenti që ata e paguajnë, e marrin atë biletë, mund ta shfrytëzojnë një muaj dhe të frekuentojnë të gjithë autobusët e ‘Trafikut Urban’. Është një biletë me një çmim shumë të volitshëm, për nxënësit dhe studentët ajo është vetëm 12 euro, ndërsa për qytetarët tjerë është 14 euro”, ka bërë të ditur ajo.

Ajo thotë se qytetarët janë shumë të interesuar për të pasur një biletë të tillë, megjithatë si “Trafik Urban” nuk kanë statistika se sa është numri i qytetarëve që janë pajisur me bileta të tilla.

Kurse, ajo bëri të ditur se ata që pajisen me një biletë mujore mund ta shfrytëzojnë atë sa herë të duan brenda një muaji.

“Bileta e integruar vlen vetëm për autobusët e ‘Trafikut Urban’ dhe linjat të cilat i kanë autobusët e kompanisë. Të gjitha ato linja, të gjithë qytetarët në të gjithë autobusët e ‘Trafikut Urban’ pa kufizime mund ta shfrytëzojnë këtë biletë. Nuk ka limite, mund ta përdorin pa kufizime prej datës që ata e marrin atë, dhe periudha e shfrytëzimit është një muaj, për atë është edhe biletë mujore”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka bërë të ditur se kur të nënshkruhet marrëveshja e re me kompanitë private do të jetë edhe marrëveshja për biletën e integruar.

“Ne sapo kemi nënshkruar kontratën për shërbime publike me ‘Trafikun Urban’, kontratë e cila do të nënshkruhet edhe me kompanitë private varësisht ato që do t’i fitojnë linjat që janë të parapara në plan të mobilitetit dhe bileta e të gjithë autobusëve që do të operojnë në Prishtinë do të jetë e integruar. Kësisoj një biletë mujore që merret në ‘Trafikun Urban’ do të vlejë për të gjitha linjat tjera”, është shprehur ai.

KosovaPress ka kontaktuar edhe me përfaqësues të operatorëve privatë, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin lidhur me këtë çështje.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme