Kronikë zgjedhore Totaj nënshkruan 50 premtime për 100 ditët e para të qeverisjes

Ashtu sikurse ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, edhe Shaqir Totaj ka zgjedhur metodën e nënshkrimit në mënyrë simbolike të premtimeve të tij. Totaj ka prezantuar 50 zotimet për 100 ditët e para të qeverisjes së tij në rast se zgjidhet kryetar. E në Drenas, për ta përkrahur Ramiz Lladrovcin, ka shkuar djali i ish- presidentit Hashim Thaçi
Isni Kilaj në Malishevë mbajti konferencë për prezantimin e programit të tij, por ai nuk e pa të nevojshme ta thotë ndonjë fjalë për të, pasi që pikat e programit i kishte të shkruara në një pankartë. Për këtë arsye foltorja e tij mbeti e zbrazët për disa minuta. E kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, megjithëse e pati të shkruar programin e tij, zgjodhi që edhe vetë të flasë për të. Ai ka prezantuar 50 zotimet e tij për 100 ditët e para të qeverisjes në rast se zgjidhet kryetar. Zhvillim ekonomik, arsim cilësor, përkrahje për kulturën e për shëndetësinë ishin disa nga premtimet që i dha ai. Sikurse ish-kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, i cili në garën e kryeqytetit përfundoi i treti, edhe Totaj në mënyrë simbolike nënshkroi zotimet e tij.
“Formimi i ekipit punues për krijimin e programit ‘Mjek për çdo familje’. Ne do ta lansojmë programin ‘Mjek për çdo familje’, për ata të cilët janë në pension dhe nuk kanë mundësi të lëvizin apo të dalin nga shtëpitë. Formimi i ekipit punues të komunës në bashkëpunim me komunitetin e biznesit për funksionalizimin e zonës ekonomike është një nga pikat shumë të përfolura. Janë dhënë shumë premtime, por vitet e fundit nuk ka pasur asnjë lëvizje, nuk është funksionalizuar”, u shpreh Totaj në një konferencë për media.
