Kronikë zgjedhore \ VV-ja u premton zgjidhje të problemeve qytetarëve të Gjakovës e Gjilanit
Me shkelje të shumta të masave anti-COVID janë shoqëruar tubimet elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto tubime, të mbajtura në Gjakovë e Komunë të Gjilanit, i pranishëm ishte edhe vetë kryeministri i vendit, ku së bashku me kandidatët për kryetarë premtuan zgjidhje të problemeve elementare
Para qindra qytetarëve të mbledhur në Gjakovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka adresuar një kërkesë.
“Ashtu qysh e keni bërë Vetëvendosjen të parën, ashtu qysh më keni bërë mua kryeministër, tash unë bashkë me juve duhet të bëjmë gjithçka shumë shpejt, që Mimoza Kusari-Lila të bëhet kryetare e Komunës së Gjakovës. Duhet të punojmë në mënyrë që kur të numërohen votat, komisionerët të thonë Mimoza, Mimoza, Mimoza.......”, u ka kërkuar gjakovarëve kreu i Ekzekutivit.
Mbrëmjen e së hënës, në hapjen e fushatës zgjedhore në Gjakovë, ishte mbledhur një numër i madh i qytetarëve, që nuk respektonin masat për maskë dhe mbajtje të distancës.
Paraprakisht Kurti e Kusari-Lila, nga odat e fshatrave të Komunës së Gjakovës, janë përkujdesur që të premtojnë zgjidhje të problemeve elementare.
“Kësaj radhe jo vetëm që kemi ndryshim në koncept të qeverisjes, kemi përkushtim edhe dedikim prej kryeministrit e secilit ministër në kabinet, e gjithashtu edhe ne në qeverisje lokale që përfundimisht temat që kanë të bëjnë me ujin e pijes, me rrjetin e kanalizimit, me çështjen e ndërtimit të rrugëve e ndriçimit publik me mbetë tema që kryhen në këtë mandat”, ka premtuar kandidatja e LVV-së.
Me shkelje masash para syve të kreut të Ekzekutivit është shoqëruar edhe tubimi në fshatin Xërxë të Komunës së Rahovecit. Në të, kandidati për kryetar të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka premtuar të ardhme më të mirë për qytetarët e kësaj ane.
“Ndryshimi vjen nga ju e përmes jush, vetëm duke u bërë bashkë garantojmë një të ardhme më të mirë. T’i realizojmë projektet, për të gjitha moshat, për të mirën e Gjilanit. Me një zë të ri e udhëheqje të re bëjmë një hap përpara drejt ndryshimit”, ka thënë Hyseni.
Në mbrëmje Hysenit i kanë dhënë mbështetje edhe kryeministri Kurti e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Të dashur qytetarë të Gjilanit, para vetes kemi një shans tepër të rëndësishëm, kemi një shans që t’ia kthejmë dinjitetin Gjilanit, t’ua kthejmë dinjitetin qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë Haxhiu, duke kërkuar votën për Hysenin.
Haxhiu tutje ka thënë se Lutfi Haziri, të cilin e ka quajtur “kryetar në ikje”, e konsideron Gjilanin “si një pronë të tij”.
Kurti, që është aktivizuar për balotazh gjatë së martës, ishte edhe në Kaçanik për t’i ofruar mbështetje kandidatit për kryetar të kësaj komune, Jeton Raka.
“Kaçaniku gjithmonë u ka prirë ndryshimeve pozitive në histori, andaj t’i prijë edhe këtij ndryshimi të një qeverisjeje të pastër e të ndershme”, ka thënë Raka.
Fushatën për zgjedhjet e 14 nëntorit e ka vazhduar edhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, i cili është takuar me përfaqësues të OVL-UÇK-së me degë në kryeqytet dhe me psikologë. Vitia ka thënë se Komuna e Prishtinës e ka obligim institucional e moral që t’i ndihmojë organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.
“Patëm nderin të bashkëbisedojmë me kryetarin dhe natyrisht atë që e tha zoti Vitia se do të angazhohemi dhe të kemi një bashkëpunim korrekt për realizimin e kërkesave të drejta e ligjore të kësaj kategorie, që është obligim institucional dhe i nivelit lokal”.