Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ VV-ja mbyll fushatën me premtime për mbështetje nga Qeveria

Descriptive Text

Me premtime që Qeveria e Kosovës do të jetë krah qytetarëve të komunave, e ka përmbyllur fushatën elektorale Lëvizja Vetëvendosje. Derisa kryeministri Albin Kurti ishte krah kandidatit për kryetar të Gjilanit e të Prishtinës, kryekuvendari Glauk Konjufca ka qëndruar në Rahovec

As moti me shi nuk i ndaloi qytetarët e Gjilanit që të merrnin pjesë në tubimin përmbyllës të Lëvizjes Vetëvendosje.

Aty ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ofroi edhe mbështetjen e Qeverise dhe bëri thirrje që të gjithë të dalin të votojnë të dielën. “Le të shkojë e vjetra, e përdoruara, le të vijë e reja, ajo që e duan qytetarët” ka thënë Kurti.

Derisa Alban Hyseni, kandidat për kryetar të Gjilanit, ka premtuar qeverisje të mirë për gjilanasit. “Zotohemi që guximshëm do të punojmë së bashku për Gjilanin që dua, për Gjilanin e mundësive, të investimeve, të rinjve e grave” ka thënë Hyseni.

E fjalimin e Kurtit, të dhënë në Podujevë, e ka shpërndarë kandidati për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Derisa Bulliqi ka shkruar se me Kurtin kryeministër, Podujeva do ta marrë vëmendjen e merituar, vetë Kurti ka premtuar projekte të shumta në këtë komunë. “Shumë gjëra të mira do të mund të bëhen me buxhetin e Komunës, por edhe shumë të tjera do të mund të bëhen edhe me buxhetin e shtetit”, është shprehur Kurti.

Ndërkohë, kandidati për kryetar të Ferizajt, Valon Ramadani, ka premtuar ndërtimin e parkut të lojërave në këtë qytet. “Një lunapark i madh me një hapësirë prej 15 hektarësh, me shumë parqe e gjelbërim dhe shumë mundësi për fëmijët e të rinjtë”, ka thënë Ramadani, duke premtuar se ky park do të jetë më i madhi në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka prezantuar edhe kandidatët për asamble komunale, duke ua shpjeguar të gjithëve çështjet që do të merren, nëse sigurojnë ulësen e asamblistit. E program cilësor e ka quajtur programin e tij kandidati për kryetar të Shtimes, Qemajl Aliu. “Kemi ecur përpara, me respektim për të gjithë, por jo për të korruptuarit, kemi sjellë një program cilësor që e zhvillon Shtimen, që e bën atë qytet me investime të mëdha” ka shtuar ai.

Ndërkohë që Kurti ishte edhe krah Arben Vitisë, kandidat për kryetar të Prishtinës, në orët e fundit të fushatës zgjedhore, Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, përmbylli fushatën për zgjedhjet e 17 tetorit në Komunën e Rahovecit, ku kandidat është Visar Korenica. “Është personi më i duhur për kryetar të Rahovecit”, ka thënë Konjufca.