Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Pa respektim masash anti-COVID, NISMA e përmbyll fushatën zgjedhore

Me këngë patriotike e me duartrokitje është pritur kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, në Malishevë, në tubimin e fundit elektoral për zgjedhjet e 17 tetorit. Në këtë tubim nuk u respektua asnjë masë mbrojtjeje kundër COVID-19

Simpatizantët e Nismës Socialdemokrate në Malishevë, ndalesën e parë e kishin në kafenenë afër një salle dasmash, para se të fillonte tubimi i fundit elektoral. E me të përfunduar kafenë, brenda hapësirave të kësaj salle i shoqëronte gjatë gjithë kohës Ilir Shaqiri me këngën “Pavarësia”.

Pavarësisht masave anti-COVID në fuqi, në këtë tubim nuk u respektua asnjë masë. Maska e distanca, ishin të pamundura në hapësirën e restorantit të dasmave.

Madje, dy të pranishmit zunë edhe vendin e çiftit që ulen zakonisht në ceremonitë martesore.

I pari që erdhi ishte kryetari aktual i Malishevës, Ragip Begaj, i cili është nga kjo parti. Duartrokitjet për të nuk ndaluan disa minuta, derisa të pranishmit u çuan edhe në këmbë për të.

Ndonëse me vonesë, të pranishmit u elektrizuan me ardhjen e liderit të Nismës, Fatmir Limaj, dhe kandidatit për kryetar të Malishevës, Ekrem Kastrati.

Të pranishmit nuk ndalonin duke brohoritur për të parin e Nismës. Kastrati para të pranishmëve tregoi edhe disa nga planet e tij për këtë komunë. “Kërkojmë besimin tuaj për një mandat 4-vjeçar që në substancë ka projektin e madh për Malishevën urbane dhe që nënkupton, organizimin e qytetit, hartë sezonale e zhvillimin”, ka thënë ai.

Fatmir Limaj, duke lavdëruar punën e kryetarit aktual, Ragip Begaj, u shpreh i bindur për fitore edhe në këto zgjedhje. “Ne kalojmë nga një fazë në fazën tjetër, dorë për dore, duke e nderuar e respektuar për atë që është bërë deri tani, dhe duke kaluar nga një dorë në dorën tjetër të sigurt, Malishevën sot nga Ragip Begaj do ta kalojmë tek Ekremi”, ka thënë Limaj, i cili tha se Kastrati ka qenë edhe në luftë për të kontribuar për shtetin e Kosovës.

Këtu u prezantuan të gjithë kandidatët që garojnë për asamblenë komunale. Jashtë objektit, ku po mbahej tubimi elektoral, u panë edhe dy zyrtarë policorë, të cilët vetëm qëndronin aty.