Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Haradinaj: Nën qeverisjen time, komuna juaj do të jetë për ju

Me shkelje të masave anti-COVID e ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e 17 tetorit kandidati i AAK-së për kryeqytetin, Daut Haradinaj. Ua rikujtoi premtimet e tij qytetarëve, duke u thënë se punët do t’i nisë menjëherë më 18 tetor

Mosrespektimi i masave anti-COVID është bërë përditshmëri e pothuajse të gjitha partive në ditët e fundit të fushatës. Masat nuk u respektuan as në takimin kryesor të AAK-së të mbajtur në kryeqytet.

Në këtë takim, kreu i AAK-së, që është vëllai i kandidatit për Prishtinën, u premtoi qytetarëve se Dauti si kryetar nuk do të ketë një tutor mbi kokë për ta urdhëruar.

“Daut Haradinaj s’ka tutor, s’ka shef politik. Nëse ai merr përgjegjësi, ai jep përgjegjësi vetëm te qytetarët e Prishtinës, vetëm atyre të cilët ia kanë dhënë besimin”, ka thënë ai.

E kandidatin për kryeqytetin vëmendja dhe brohoritjet e vunë në siklet.

“Uh, m’ndjersitët pak”, tha Haradinaj.

Ai në takimin përmbyllës të fushatës ua rikujtoi edhe një herë qytetarëve premtimet e tij.

“Ju kemi premtu që do ta përkrahim natalitetin, ju kemi premtu që njerëzit që kanë ceremoni mortore duhet të përkrahen nga komuna, janë përkrahur deri tash, por do të dyfishohen, ju kemi premtu që do të përkrahim sportistët tanë, gjithsej i kemi 226 disiplina sportive”, tha ai.

E me premtim për rindërtim të qendrës së Prizrenit e ka vazhduar fushatën kandidati Lulzim Kabashi.

“Prandaj zotohem se nëse do të kem besimin tuaj për të udhëhequr me qytetin në katër vjetët e ardhshëm do ta bëj komplet rivitalizimin e qendrës historike, e cila nënkupton këto veprime: ndërtimi i plotë i punimeve infrastrukturore nëntokësore”, ka thënë ai.

Ndërsa ndërtim të magjistrales Prishtinë-Pejë ka premtuar kandidati për Klinë, Zenun Elezaj.

Bashkë me magjistralen, e cila shkon deri në qendër të qytetit të Klinës, Elezaj ka premtuar edhe ndërtimin e trotuareve, shtigjeve për biçikleta dhe ndriçim publik për atë zonë.

Kandidati për Rahovecin, Smajl Latifi, ka njoftuar qytetarët se nuk kanë shpenzuar financa për reklama.

Ai ka thënë se fushata e tyre ka qenë e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe është shprehur i bindur për fitore.