Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në javën e fundit të fushatës nëpërmjet një videoje e ka uruar kandidatin për Prizrenin, Mytaher Haskuka, për ditëlindje. Kurti gjithashtu ka shkuar në Mitrovicë në përkrahje të kandidatit të tyre, Agim Bahtiri, dhe ka premtuar rritje të vendeve të punës dhe prodhimeve vendore
Në ditët e fundit të fushatës kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vendosur që të urojë për ditëlindje kandidatin e tyre për Prizrenin, Mytaher Haskuka.
Kurti me një matematikë të thjeshtë e shndërroi moshën e Haskukës në numrin e tyre të votimit për këto zgjedhje.
“48-shi, numri i viteve tua, kur shumëzohet me tre jep rezultat një numër fort të dashur për ne në këtë tetor, pra 144, uroj që të shumëfishohen vitet me plot shëndet e lumturi”, ka thënë Albin Kurti.
E mbështetje shefi i partisë ka dhënë edhe për kandidatin për Mitrovicën, Agim Bahtiri, i cili po kandidon edhe për një mandat. Bahtiri u tha qytetarëve se realizimi i kërkesave të tyre do të jetë më i lehtë pasi që kryeministrin e kanë të tyre.
“Ajo që e kemi shumë më lehtë është se e kemi kryeministrin tonin dhe ky është i përqendruar në Mitrovicë për të bërë këta hapa”, tha Bahtiri.
E gjatë vizitës në një fabrikë ëmbëlsirash Kurti, duke i falënderuar për pritjen e ëmbël, u premtoi atyre rritje të punësimit.
“Ju falënderoj shumë për këtë mikpritje kaq të ëmbël edhe si Qeveri e Republikës së Kosovës bashkë me pushtetin komunal do të përpiqemi që edhe ta rrisim punësimin edhe ta shtojmë prodhimin vendor”, tha ai.
Premtim për unazën e gjelbër të qytetit ka dhënë kandidati për Drenasin, Fejzi Kiqina.
“Në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm urban ne kemi paraparë ndërtimin e unazës së gjelbër në qendër të qytetit, si nismë e një krijimi të një ambienti të gjelbër, më të pasur dhe më të jetueshëm për qytetarët tanë”, ka thënë Kiqina.
E kandidati për Rahovecin, Visar Korenica, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci është takuar me mësimdhënës dhe u kanë premtuar atyre se do të takohen një herë në vit për të diskutuar për sfidat me të cilat përballet sektori i arsimit në këtë komunë.