Lokalet 2021

Islami: Shpresoj të jetë hera e fundit që partitë shqiptare garojnë ndaras në Shtërpcë

Kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Shtërpcës, Besim Islami, thotë se po qe se partitë shqiptare do të garonin nën një emër të përbashkët për këtë komunë, mund të ishin më të fuqishëm krahas një partie serbe.

Në Debati për Komunën e Shtërpcës në kuadër të emisionit “60 Minuta”, Islami ka thënë se gabimi ka qenë që të gjitha kanë garuar ndaras.

“Ajo që ka ndodhur në të gjitha zgjedhjet e kaluar, vazhdimisht është garuar në pozita të ndara secila parti dhe ky ka qenë gabim që nga fillimi pasi ne nuk jemi shumicë në atë rajon. Nuk mbaj përgjegjësi për mosbërje të koalicionit në të kaluarën, do të kisha pasur dëshirë që kjo marrëveshje të ishte arritur”, ka thënë ai.

Islami ka thënë se nuk ka pasur ftesa zyrtare nga ndonjë parti apo kandidat shqiptar që të ketë propozuar koalicion parazgjedhor.

“Ftesa zyrtare nuk kam gjetur, mund të ketë pasur komunikime individuale por është dashur të punohet më seriozisht dhe gjërat të jenë në letër dhe të bëhen gjërat më herët”, tha ai duke shtuar se shpreson që “të jetë hera e fundit” që partitë shqiptare garojnë ndaras.

Sipas tij, shkuarja në garë për Shtërpcën nën një emër do t’i bënte partitë shqiptare më të fuqishme.

“Do të ishim më të fuqishëm por jo në masën që do duhej sepse popullata jonë është shpërngulur vazhdimisht. Kanë qenë dy rrjedhje, një në Perëndim dhe tjetra në Ferizaj duke u shmangur nga kushtet e rënda ekonomike. Thuajse në të gjitha fshatrat por shumë në fshatrat malore ka qenë shpërngulja më e theksuar, në disa fshatra kanë mbetur 3-4 shtëpi. E keqja është se dhe investimet që janë bërë janë bërë me vonesë. Është dashtë më herët tu lehtësohet jeta atyre banorëve, është intervenuar shumë vonë”.

Ai foli edhe për investimet në këtë komunë. Tha se deri më tash është punuar por jo aq sa duhet.

“Investimet kanë qenë në infrastrukturë kryesisht. Kanë investuar në rrugë kryesore, por ky trend ka qenë në rënie të vazhdueshme. Investimet që janë bë në rajonet ton janë bë të ngutshme, për fushata. Shumë pak është investuar”.

Islami ka treguar se ku mund të investohet dhe ku do të punojë ai nëse fiton garën.

“Mund të jemi prodhues të mëdhenj të prodhimeve bujqësore, sidomos kultivimi i mjedrës që është i cilësisë së lartë dhe prodhimit të mishit. Nuk janë ndihmuar, pikërisht ata që e kanë traditë 200 vjeçare që janë marrë me këtë veprimtari, ata janë anashkaluar. Qeverisja e mëparshme ka qenë gabimi ka qenë se nuk është vizituar gjendja në rajon. Janë kërkuar kritere që një fshatar të ketë 7 hektarë tokë, kurse në vise malore nuk kemi të tilla sipërfaqe. Por ka pasur edhe keqpërdorime. Po të ishin ndihmuar shumë nga ata njerëz do të zgjeronin biznesin e tyre”, tha ai.

Kandidati i VV-së ka thënë se ende ekziston problemi me ujë të pijshëm dhe se në disa fshatra ka mungesë ekstreme të ujit, për të cilin tha se do të punojë.

Ndërsa, tha se afishet me mbishkrimin “Mirësevini në asociacionin e komunave serbe” të vendosura në këtë komunë, janë hequr të gjitha nga Policia e Kosovës.