Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ PDK-ja premton investime në turizëm e ndërtim palestrash sportive

Mbështetje të turizmit dhe trashëgimisë kulturore në Prizren e Deçan, mbështetje sportit e ndërtim palestrash në Vushtrri, janë disa nga premtimet e kandidatëve të PDK-së në këto komuna përkatëse. Ndërkaq në Skenderaj, PDK-ja ka premtuar ndërtimin e memorialit të daljes publike të UÇK-së, ku me ç’rast edhe kanë thyer masat anti-COVID

Prishtinë, 11 tetor - Nën moton “PDK nuk thyhet”, partia më e madhe opozitare në vend ka thyer masat anti-COVID, në qytetin e Skenderajt, ku ishte prezent edhe kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi. Aty u premtua ndërtimi i memorialit i daljes publike të UÇK-së, i cili sipas tyre do të nisë posa të vijnë në pushtet.

E Ramiz Lladrovci në Drenas po e kërkon edhe një mandat në krye të komunës. Kandidati i PDK-së, me një video-adresim drejtuar qytetarëve, ka thënë se UÇK-ja dhe qeverisja e mirë janë pjesë e ADN-së së tij. Lladrovci është zotuar se do të qeverisë në mënyrë transparente dhe prioritetet e qytetarëve ka thënë se janë të tijat.

“Parimet në të cilat udhëhiqem në qeverisje janë: cilësia, efikasiteti dhe efektiviteti. Ju e dini se unë nuk nënshtrohem para sfidave e as para vështirësive, sepse kam vendosmëri dhe qëndrueshmëri, vazhdimësi, përvojë dhe parime. Ligjshmëria, llogaridhënia dhe transparenca janë vlera të qeverisjes sime. Prioritetet tuaja janë prioritete të qeverisjes komunale”, ka deklaruar Lladrovci.

Palestër të re sportive e rinovim të së vjetrës duke futur nxehjen qendrore, ka premtuar Ferit Idrizi, kandidat i PDK-së në Komunën e Vushtrrisë. Idrizi ka thënë se një nga burimet e financimit do të jetë përmes atyre donatorëve që e duan sportin, si dhe përmes subvencioneve nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

“Do të ndërtojmë shumë fusha të sportit në qytet dhe fshatra. Do të ndërtojmë një palestër sportive afër palestrës ekzistuese në Vushtrri, do të vendosim ventilimin dhe nxehjen qendrore në palestrën ekzistuese. Do t’i mbështesim financiarisht “Kosova” të Vushtrrisë dhe tifozët “Forca”, do t’i mbështesim të gjitha klubet e hendbollit, volejbollit, basketbollit dhe klubet e tjera”, ka thënë Idrizi.

Me moton “24 orë kryetar”, e ka vazhduar fushatën Uran Ismaili në Prishtinë. Ismaili ka lajmëruar se deri në ditën e fundit të fushatës do të zhvillojë aktivitete 24-orëshe pa ndërprerë, duke thënë se pozita e kryetarit për të nuk do të jetë punë dytësore.

“Po filloj një aktivitet 24-orësh, pa ndërprerje të takimeve, vizitave dhe diskutimeve me njerëzit e këtij qyteti. Kjo është një sfidë personale, edhe për mua. Por unë jam i shtyrë nga bindja ime e fortë: që puna e kryetarit dhe kujdesi ndaj qytetit është 24 orë, 7 ditë në javë. Për mua nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë transformimin e madh të qytetit”, ka deklaruar Ismaili.

Mbështetje për turizmin malor dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve në Prizren ka premtuar Shaqir Totaj. Totaj ka premtuar se prioritet për të do të jetë rregullimi i shtratit të lumit “Lumbardhi”.

“Prandaj, do të punojmë shumë për ta forcuar turizmin kulturor dhe malor duke përfshirë në dizajnimin e brendit dhe pakos turistike të qytetit. Ne planifikojmë rregullimin e shtretërve të lumenjve, ku prioritet do të jetë “Lumbardhi”, si dhe lansimi i projektit të 10 fshatrave turistike”.

Mbështetje sektorit të shëndetësisë në komunën e Rahovecit, u ka premtuar Bejtullah Deliu kandidat i PDK-së për kryetar të kësaj komune. Ai është zotuar se çdo qytetar do të marrë falas shërbimet shëndetësore.

“Do t’i funksionalizojmë objektet e QMF-ve nëpër fshatra të ndryshme që janë lënë në harresë, dhe do të ndërtojmë QMF të reja në fshatra të komunës sonë, çdo qytetar do të marrë falas shërbimet shëndetësore si vizitat sistematike, do të hapim laboratorë dhe do të blejmë autoambulanca në Krushë të Madhe dhe Ratkoc në kuadër të QMF-ve”, ka shkruar në “Facebook” Deliu.

Ndërkaq, mbështetje turizmit dhe trashëgimisë kulturore u ka premtuar edhe Ardiana Qorraj në Deçan.