Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Ismaili prezanton projektin për qendrën digjitale “Tulla HUB”

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka premtuar projektin e Qendrës Digjitale të cilën e ka quajtur “Tulla Hub”, e për të cilën ka thënë se do të përfundojë në vitin 2024. E, Ramiz Lladrovci në Drenas ka kërkuar edhe një mandat tjetër në krye të Komunës, derisa Bedri Hamza në Mitrovicë ka prezantuar projektin për Qendrën Zejtare në qytet

Prishtinë, 4 tetor - Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili, ka prezantuar projektin për ndërtimin e Qendrës Digjitale të cilën e ka quajtur “Tulla HUB”. Ismaili ka thënë se ideja e tij është që ta shndërrojë këtë lokacion në hapësirë pune e kreativiteti. I pyetur për koston e këtij projekti, ai nuk ka dhënë ndonjë shifër, por vetëm ka thënë se kostoja nuk është e lartë.

“Përveç objektit të administratës, objektit sportiv e kulturor ‘Tulla HUB’ do të ketë edhe një shteg për vrapim dhe biçikleta në gjatësi prej 700 metrash. Do të ketë edhe garazhe, vend për çlodhje, hapësira për ulje dhe kopsht botanik. Do të ketë teatrin e hapur, skate-parkun, restorante dhe taverna, si dhe për sportistët do të ketë edhe fusha basketi e tenisi. Arkitektura e tij do të jetë e dizajnuar për të ardhmen, por me konsideratë për të kaluarën. Do të ketë edhe një muze me artefakte të tymtarëve si simbole historike”, ka thënë Ismaili.

Gjatë ditës ai ka vizituar edhe shoqatën “Handikosin”, ku ka premtuar kushte më të mira për personat me aftësi të kufizuara.
“Sot jemi në ‘Handikos’, ku jemi kontaktuar dhe na është kërkuar që të bëjmë zotimet tona edhe në relacion me personat me aftësi të kufizuara. Natyrisht, jemi përgjigjur shumë pozitivisht duke e ditur që është e drejtë e qytetarëve tanë që të kenë një lëvizje të lirë nëpër qytet, të mos iu nënshtrohen vështirësive, të cilat pastaj shtojnë paragjykimet, rëndojnë edhe gjendjen e tyre emocionale dhe fizike", ka thënë ai.

Edhe një mandat tjetër të kryetarit ka kërkuar Ramiz Lladrovci në Drenas. Ai përmes një videoincizimi ka thënë se në mandatin e ardhshëm do të punojë edhe më shumë.

“Kemi qenë aktivë dhe bashkëpunues, duke tejkaluar premtimet kam ndier dhe e ndiej obligim që të punoj më shumë, edhe për hir të atyre që janë flijuar për atdhe dhe për ata që nuk janë me ne. Ju qytetarë të Drenasit më njihni”, ka thënë Lladrovci

Ndërkaq, Bekim Azizi, kandidat i PDK-së për kryetar të Vitisë, ka akuzuar qeverisjen aktuale në këtë komunë për diskriminim të qytetarëve.

“Sot Vitia nuk është një qytet që e duam, si rezultat i qeverisjes së papërgjegjshme. Si një rezultat i një mendësie shpërfillëse e diskriminuese nga një kryetar që çdo mandat investon në luks e komoditet për vete. Nga një kryetar që vetëm për qytetarin nuk mendon e punon”, ka deklaruar Azizi.
Ai ka shtuar se me të si kryetar, Komuna do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
“Bashkëvendës të mi, zotohem para jush se do të jem kryetar i të gjithëve pa dallim, do të shërbej me përgjegjësi, llogaridhënie e nder. Programi ynë është i thjeshtë, i qartë e i matshëm, sepse ne ofrojmë zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Derisa në Mitrovicë, Bedri Hamza, përmes një videoje në Facebook, e ka paraqitur projektin për riorganizimin e Qendrës Zejtare në qytet.