Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ AAK-ja premton ndërtimin e qendrës turistike në Pejë

Anulim të tenderit të mëparshëm dhe tender të ri për ndërtimin e Boresë, ka premtuar kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës, Rrustem Berisha.

Ai Borenë e ka quajtur katalizator të zhvillimit ekonomik.

“Ne me ardhjen tonë do ta rishikojmë, do ta anulojmë këtë tender për arsye se firma që e ka fituar këtë tender nuk e ka dëshmuar se posedon kapacitete të mjaftueshme për me ndërtu një projekt të tillë…më pastaj do ta hapim tenderin dhe në mandatin tonë qeverisës do ta ndërtojmë Borenë”, ka thënë ai.

E fushata e kandidatit për Deçanin, Bashkim Ramosaj, ka vazhduar me video të kërkesave të qytetarëve.

“Mesazhi jem është për Bashkim Ramosajn me na shtru qat rrugë prej kishe e deri te bjeshka e Belegit, me na lshu skijimin, me na qu strujen. Qeto ne mujt, qe smun kadaldale."

Ramosaj fushatën e ka vazhduar edhe me takime nëpër fshatra, ku ka shkelur edhe rregullat anti-Covid, duke mos respektuar distancën.

Edhe kandidati për Gjakovën, Ardian Gjini, ka vazhduar takimet me banorët e fshatrave.

Gjini banorëve të fshatit Damjan u ka premtuar përmirësim të jetës në komunitet.

“Pjesa më e madhe në infrastrukturë është kry, vitin tjetër do t’ i përmbyllim edhe ato që janë. E pjesa kryesore e punës që mbetet për 4 vjetët që vijnë janë ato që unë po e quaj jeta në komunitet, trotuaret, parqet, fusha të sportit, kanalet", ka thënë Gjini.

E kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i ka dalë në mbështetje të kandidatit të tij për Kamenicën, Faton Jakupi.

“Sot posaçërisht e kam për nder të kërkoj votën e juaj, besimin e juaj të listës për asamble të AAK-së që janë profesionistë të zotë, për kandidatin për kryetar Faton Jakupi inxhinier dhe një udhëheqës i dëshmuar”.