
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Rahovecit, Burim Krasniqi, ka thënë se garës për të parin e kësaj komune i ka hyrë për shkak të, siç ka thënë, punëve të pakonsoliduara të kryetarit të Rahovecit.
Krasniqi ka thënë në “Zgjedhjet në KOHË” të KTV-së se Komuna e Rahovecit asnjëherë nuk ka pasur një vizion të qartë se çka duhet të punohet.
“Kryesorja që më ka shtyrë të garoj është një punë e pakonsoliduar e kryetarit të komunës së Rahovecit në përgjithësi. Nëse e merr e sheh, asnjëherë Komuna e Rahovecit nuk ka pasur një vizion të qartë se ku po e merr komunën dhe ku do ta dorëzojë atë pas katër vitesh. Ka pasur veprime, copëza projektesh, angazhime me tendencë të manipulimit të qytetarëve për të marrë një votë të caktuar, mirëpo nuk ka pasur një vizion të zhvillimit të komunës”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, edhe në këto zgjedhje flitet për ujërat e zeza, mungesën e ujit të pijes në disa fshatra, arsim të degraduar e mungesë të aktiviteteve kulturore.