Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Bahtiri e quan veten menaxher evropian

Zhvillim të turizmit e qeverisje më të mirë në Komunën e Mitrovicës ka premtuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë komunë, Agim Bahtiri. Ai gjatë një takimi me qytetarë ka thënë se u ka rezistuar kryeministrave të kaluar, të cilët nuk kanë mundur ta mposhtin.

Grante për ndërtimin e shtëpive malore mikpritëse, në Shalën e Mitrovicës, është premtimi i radhës i kandidatit për kryetar të kësaj komune, Agim Bahtiri.

Ai në një video të publikuar ka thënë se Shala është zona e cila është pasqyra e punës së tyre, që nga një vend i harruar dhe pa të ardhme e kanë kthyer në atraksionin e dëshiruar.

Derisa Bahtiri, në një video tjetër të publikuar, ku pranë tij ishte deputeti Armend Muja, duke e quajtur veten menaxher evropian, ka thënë se kryeministrat e mëparshëm kanë dashur ta rrëzonin.

“Deri më tani kemi pasur jashtëzakonisht probleme edhe politike, edhe ekonomike, e shantazhe e bllokime për katër kryeministra që kam ndërruar. 2014 e kam pasur Hashim Thaçin, pastaj Isa Mustafën, Ramush Haradinajn, e në fund Dullën. Dhe të gjithë këta më bllokojshin për arsye se dojshin me më rrëzu mu. Po ku rrëzohet more një menaxher evropian që e do vendin dhe e ka shëtit krejt botën”, ka thënë Bahtiri.

Por, për dallim nga Bahtiri, i cili u mor me nivelin qendror, kandidatja për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e ka kritikuar kryetarin aktual për keqqeverisje.

Për t’i dhënë mbështetje e përkrahje në projektet e saj për arsim, ishte edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

E angazhimi i kabinetit qeveritar vërehet në shumicën e komunave.

Në Komunën e Podujevës në vizitë ishte ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ku së bashku me kandidatin për këtë komunë, Shpejtim Bulliqi, takuan artistët.

Kandidati për Gjilanin ka vizituar fshatin Bilinicë, ku ka thënë se aty ka gjetur shpresën për ndryshim.