Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Investime në shëndetësi premtojnë kandidatët e AAK-së për Istogun e Malishevën

Të dy kandidatët e AAK-së, Bekë Berisha e Kastriot Berisha, kanë premtuar investime në spitale dhe subvencionim për lindjet e reja me nga 300 euro. Ndërsa Daut Haradinaj, kandidat për kryetar të Prishtinës, është zotuar që të gjejë zgjidhje për pengesat që kanë qytetarët e Prishtinës gjatë përditshmërisë

Kandidati i AAK-së për Prishtinën, Daut Haradinaj, fushatën e ka vazhduar duke vizituar disa lagje të kryeqytetit. Në një vizitë në lagjen “4 Llullat” ai ka premtuar zgjidhje të problemeve.

“Kërkesë e tyre ishte që furnizimi për marketet e shumta që janë në këtë pjesë të kryhen gjatë natës që të mos ketë bllokada e shumë e shumë probleme të tjera të cilat nuk kërkojnë kosto, por që kërkojnë që të shihet dora e shtetit. I garantova që kemi me qenë të kujdesshëm sikurse edhe në pjesë të tjera të qytetit që edhe këtu me e marrë me seriozitet dhe me i zgjidhë këto probleme”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa kandidati për Istogun, Bekë Berisha, ka premtuar ndërtimin e një spitali të ri dhe ka thënë se shëndetësia do të jetë prioritet për të.

“Standarde të larta dhe përgjigje në paraqitjen e menaxhimit shëndetësor në të gjitha institucionet shëndetësore, ekipet e kujdesit shëndetësor nëpër shtëpi për të gjithë qytetarët e Istogut, punësim të të gjithë të diplomuarve në mjekësi, subvencionim për lindje nga 300 euro. Ky spital do të ndërtohet i ri, ka vite që rinovohet pandërprerë…”, tha Berisha.

Premtim për shëndetësinë si prioritet ka dhënë edhe Kastriot Berisha, kandidat për Malishevën, i cili ka premtuar ndërtimin e një poliklinike.

“Malisheva është e sëmurë pikërisht aty ku do të duhej të gjenin shërimin qytetarët – në sistemin e vet shëndetësor.

“Me investitorë të jashtëm do të ndërtojmë poliklinikën me 50 shtretër, që përmbush të gjitha nevojat emergjente dhe elementare shëndetësore, e po ashtu do të digjitalizojmë komplet sistemin shëndetësor. Jam i vendosur fuqishëm për këtë”, ka thënë Kastriot Berisha në një postim në Facebook.

Përmirësim të jetës në komunitet ka qenë premtimi i radhës nga kandidati për Gjakovën, Ardian Gjini.

“Pjesa tjetër e buxhetit, investimet që kemi me i pasë edhe në fshat, edhe në qytet kanë me qenë në atë që jemi duke e përmbledhë me një fjalë si jeta në komunitet”, ka thënë ai.

E ndërtim të fushave sportive ka premtuar kandidati për Rahovecin, Smajl Latifi.

“Çdo lagje e qytetit dhe çdo fshat do të ketë nga një fushë sportive gjatë mandatit të ardhshëm”, ka shkruar Latifi.

Gjithashtu ai gjatë një vizite që ka pasur te një biznes që merret me prodhimin e arkave të drurit, kryesisht për rrush, ka premtuar mbështetje edhe për këtë sektor.