3 perditesime
23:36

Kandidatët për kryetar të Junikut tregojnë programet e tyre për arsim

Kandidatët për kryetar të Junikut kanë shpalosur programet e tyre për arsimin.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Junikut, Fatos Shala, ka premtuar bursa për të gjithë studentët e kësaj komune, pasi sipas tij nuk janë shumë.

Ka folur edhe për projektet që po kryhen e që do të nisin së shpejti e që do të ndikojnë në mësimdhënie e mësimnxënie.

“Jemi në përfundim të një objekti shkollor, presim të jetë objekt modern, do të ndikojë në mësimdhënie e mësimnxënie. Besoj se do të kryhet shumë shpejt, më 2022 planifikohet të mbahet mësimi aty. Kemi sallën sportit për gjimnazin ‘Kuvendi i Junikut’, është projekt, mjetet janë të ndara dhe pritet të fillojë ndërtimi. Parashohim të bëjmë kabinete aty ku ka mundësi. Pastaj bursa për studentët, ndoshta për të gjithë studentët pasi nuk janë shumë, por të bëjmë një kategorizim/ Për shembull ata që kanë nota më të mira të marrin më shumë e kështu të mos mbetët askush pa marrë diçka”, ka thënë Shala.

Kandidati nga radhët e Vetëvendosjes, Besart Tofaj, ka thënë se synimi është të ndërtohen objektet e të sigurohen kushtetet, ndërsa po ashtu do të mbështeten studentët me bursa të plota në bazë të profileve të caktuara.

“Arsimi sa më cilësor është në programin tonë. Do të angazhohemi në ndërtimin e projekteve e kushteve më të mira. Ndërtimin e çerdhes, më pas objekti i shkollës fillore ‘Edmond Hoxha’, ku është premtuar se do të fillojë mësimi aty vitin 2018, është dhënë premtimi nga drejtori i Arsimit që nuk është përmbushur. Për aftësimin e nxënësve në aspektin fizik, do të ndërtojmë palestrën në gjimnazin Kuvendi i Junikut. Nxënësit do të përkrahen me bursa të plota në bazë të profileve të caktuara, në shkencat natyrore, të teknologjisë informative. Do të bëjmë ndërlidhje të studentëve e nxënësve tanë, me biznese të caktuara. Sigurisht do t’i mundësojmë praktikë gjashtëmujore apo njëvjeçare duke ndarë mjete për pagesa simbolike, që do të bëhen nga komuna bashkë me bizneset”, ka thënë Tofaj në “Zgjedhjet në KOHË” – Debati për Junik.

E kandidati nga radhët e LDK-së, Ruzhdi Shehu, ka thënë se në program të tyre kanë të planifikuar të ndajnë 20 mijë euro në vit për bursa të studentëve.

“Zhvillimin e arsimit funksional e profesional bazuar në nevojat e tregut të orientuara drejt agrokulturës e turizmit. Ka nevojë të përkrahen këta dy sektorë, për shkak të mungesës së kuadrit. Të hapim drejtim në këtë fushë, të mbështetet sektori privat në këtë. Furnizimi me kabinete prioritet numër një. Të funksionalizohen ata që nuk janë funksional. Kemi buxhet të caktuar 20 mijë euro në vit për burse të studentëve që kanë nevojë të orientohen në profile deficitare, mjekësi, shkenca natyrore, matematikë, teknologji informative, edhe studentë në agrokulturë e turizëm. Ofrim i shërbimeve psikologjike, e logopedike në shkolla, ka nevojë pas situatës së krijuar nga pandemia”, ka thënë Shehu, që ka kritikuar qeverisjen aktuale të Junikut se ka nënshkruar kontrata kolektive me punëtorë të arsimit e nuk i ka përmbushur obligimet. Ai ka thënë se këto po i kushtojnë komunës.

23:22

Shala i PDK-së premton stimulim për mjekët në Junik dhe QKMF me orar pune 24 orë

Fatos Shala, kandidat për kryetar të Junikut nga PDK-ja, është i bindur se nëse fiton besimin e qytetarëve më 17 tetor, do të bëjë Junikun me një Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare që do të jetë në dispozicion për qytetarët 24 orë.

Shala, tha se për të dhe PDK-në do të jetë prioritet shëndetësia, meqë vendi ende është në pandemi. Në emisionin Zgjedhjet në KOHË, ka premtuar edhe stimulime për mjekët e infermierët.

“Është situatë e jashtëzakonshme, zhvillimin ekonomik e shohim përmes bjeshkëve, por për momentin në situatën që jemi, prioritet do te kemi shëndetësinë. Do të fillojmë me stimulim për mjekët, 100 euro në muaj deri në fund të pandemisë. Pastaj nga 3 deri në 6 muajt e parë të qeverisjes tonë, do të bëjmë një QKMF që do të punojë 24 orë, të mos ketë nevojë qytetari të dalë jashtë Junikut pas orës 21:00 për të kërkuar shërbime mjekësore”, tha Shala.

Ai premtoi edhe listë me barna esenciale dhe terapi për të prekur me COVID-19 falas.

23:19

Tofaj: Ndryshimi do të ndodhë në Junik

Kandidati për kryetar të Junikut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besart Tofaj, ka thënë se ndryshimi në këtë komunë do të ndodhë në zgjedhjet e 17 tetorit.

Tofaj ka thënë se qytetarët e Junikut dhe 1050 votues nga diaspora që kanë aplikuar për të votuar me postë, do të bëjnë ndryshimin në këtë komunë, që është udhëhequr për shumë vjet nga Aleanca për Ardhmëri të Kosovës.

“Ndryshimi do të ndodhë me qytetarët e Junikut, së bashku me diasporën që është angazhuar në aspektin ekonomik e politik. Në Junik kemi 1050 votues nga diaspora, që është numër rekord. Si asnjëherë janë të interesuar të bëjnë ndryshimin. Kanë aplikuar të votojnë përmes postës. Janë shtytje tjetër që në Junik të ndodh ndryshimi. Si Vetëvendosje kemi edhe mbështetjen e qendrës, Qeverisë së Kosovës, me projekte konkrete që janë të studiuara mirë”, ka thënë Tofaj në “Zgjedhjet në KOHË” – Debati për Junik.

Sa i përket rrugës që lidh Junikun me fshatin Gjocaj, ai ka hënë se do të hartojnë plan për rregullimin e rrugës. Ndërsa ka thënë se do të kontrollohet edhe cilësua e rrugëve që mos të prishë ato shiu i parë. Ai ka thënë se do të angazhohen në zhvillimin e turizmit në Junik.

23:12

Programi i Shehut për Junikun i ndarë në 5 shtylla me prioritet pandeminë

Ruzhdi Shehu, kandidat për kryetar të Junikut nga LDK-ja, ka thënë se programi i tij qeverisës, nëse fiton zgjedhjet lokale të 17 tetorit, do të bazohet në 5 shtylla, por se mbrojtja e shëndetit të qytetarëve nga pandemia, do të jetë prioritet.

Shehu në Zgjedhjet në KOHË, foli edhe për turizmin dhe infrastrukturën në këtë komunë të themeluar para disa vjetësh.

“Ne kemi përgatitur programin për 4 vitet e ardhshme për Junikun me 5 shtylla të ndara në 18 prioritete e 60 projekte. Do të ndërtojmë rrugën, që sot është vështirë e qasshme për qytetarët dhe vizitorët. Asfaltimi i rrugës ka filluar më 2009 e asnjëherë s’ka përfunduar”, ka thënë Shehu.