Lokalet 2021

Kronika Zgjedhor/ AAK-ja premton festival për Malishevën e treg modern në kryeqytet

Me një video rreth 4-minutëshe, ku disa persona lavdërojnë punën e kryetarit të Komunës së Deçanit, e ka filluar ditën Bashkim Ramosaj.

Kandidati i AAK-së, i cili synon mandatin e dytë në Deçan, ka shkruar se është i lumtur që ka arritur të kthejë besimin e tyre me punë dhe se nuk do të ndalet deri në realizmin e premtimit të fundit.

“Falë tina ne shumë projekte kemi arrit së fundmi me i realizuar, përpara fshati ka qenë 0", ka thënë një qytetar.

“Jemi të kënaqur deri më tash, jemi të kënaqur me shtrimin e rrugëve që nuk i kemi pasur më të bukura se që i kemi tash."

Në anën tjetër, ndërtimin e një hapësire moderne e me kushte të favorshme për tregun në Prishtinë e ka premtuar kandidati për kryetar i AAK-së, Daut Haradinaj.

“Me të vërtetë një gjendje kaotike, kisha thënë, edhe sipas diskutimeve që patëm, shumë pronarë këtu tregtarë, qofshin të produkteve ushqimore qofshin të tekstilit, e pamë që mundësitë edhe pse kanë qenë nuk është bë mjaftueshëm”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë që krijimin e një festivali ndërkombëtar të quajtur MaliFest, e ka premtuar kandidati i AAK-së, për Malishevën, Kastriot Berisha. Ai ka thënë se në vitin e parë të mandatit synojnë që të mbahet edicioni i parë i këtij festivali, kurse brenda tre vjetësh synojnë që ky festival të arrijë në numrin e 100 mijë vizitorëve vendas e të huaj përgjatë tri ditëve sa do të mbahet.