Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja premton sërish teleferikun te Kalaja në Prizren

 

Qytetarëve të Prizrenit, kandidati i LDK-së për kryetar, Anton Quni u ka dhënë të premten një varg zotimesh për përmirësim të cilësisë së jetës me infrastrukturë e shërbime të tjera. Në programin për Prizrenin, mes tjerash, Quni në plan ka edhe një projekt që ishte premtuar, por nuk ishte bërë në kohën e qeverisjes së LDK-së me Prizrenin para më shumë se 8 vjetëve, ndërtimin e teleferikut

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, të premten u njoftua prej afër me hallet e banorëve të lagjes “2 korriku”, ku kërkoi mbështetje edhe për kandidatët për asamble nga ajo pjesë. Banorët u ankuan kryesisht për mungesë të rrugëve e për telashe me shtyllat elektrike. Ata thanë se për të gjitha problemet është dashur të intervenojnë me mjete vetanake pasi që nuk e kanë pasur fokusin e Komunës. Sipas Qunit, kjo ndodh në vendet ku nuk ka angazhim e planifikim të mirë. Ai u premtoi banorëve që në ditët e para të qeverisjes do tu gjejë adresë problemeve. “Me ardhjen tonë në qeverisje menjëherë do të merremi me sanim të situatës deri në normalizim të saj. Duhet të paraprihet me infrastrukturë që të mos ketë nevojë pastaj që të merremi me pasoja. Uji, rryma, ndriqimi, rrugët, trotuaret, udhëkryqet e të tjera, janë të gjitha masa që duhet të ndërmerren”, ka thënë Quni.

Përveç kësaj lagjeje, bashkë me ekipin e tij ai ka marshuar rrugëve të qytetit duke dëgjuar individualisht problemet e banorëve. Për prizrenasit, Quni shpalosi një sërë projektesh për trajtim të ujërave të zeza, kujdes për infrastrukturën, vendosjen e qendrave të informimit për turistët, por e dha edhe një premtim që kishte qenë projekt i ish-qeverisjes së LDK-së në Prizren e që nuk ishte realizuar.