3 perditesime
17:57

VV-ja e LDK-ja refuzojnë koalicionin me Listën Serbe në Novobërdë, por jo postin e nënkryetarit

Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Novobërdës kanë përjashtuar koalicionet paszgjedhore me Listën Serbe, në rast se kjo parti fiton sërish në këtë komunë.

Të dy kanë thënë se megjithatë do t’i pranojnë detyrat që u takojnë me ligj, atë të nënkryetarit dhe të zëvendëskryesuesit.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka të përcaktuar në statutin e vet që normalisht s’hyjmë në koalicion, por do t’i marrim ato që na takojnë. Nënkryetari dhe zëvendëskryesuesi i takojnë komunitetit shqiptar, për shkak të përfaqësimit tonë. Por ne s’kemi hyrë për të mos fituar në këto zgjedhje. Unë kam treguar në të kaluarën se jam i gatshëm të bashkëpunoj me secilin”, ka thënë Abdyl Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje duke shtuar se do të pranojë ta mbajë pozitën e nënkryetarit të komunës “sepse i takon me ligj”.

Njëjtë është shprehur edhe Bajrush Imeri i LDK-së. Ai ka thënë se në zgjedhjet e sivjetme lokale, partitë shqiptare kanë më shumë shpresë “edhe pse e dimë që numerikisht jemi më pak dhe e kemi vështirë”.

“S’kemi kundër që një serb të jetë kryetar sepse kanë të drejtë të garojnë. Por ai duhet të jetë bashkëpunues me të gjithë. Kësaj radhe do të kërkojmë fuqishëm, që të mos shkojë si vitet e fundit. Nëse janë fitues, s’u nevojitet koalicioni sepse numrat i kanë mjaftueshëm, por ne edhe sot edhe nesër do të mbajmë pozitat që në takon, por jo koalicion me ta”, ka thënë ai në KTV.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. Novobërda që nga viti 2013 udhëhiqet nga Lista Serbe.

17:49

Gashi i VV-së premton reformë të plotë në Novobërdë

Kanidati i Vetëvendosjes për kryetar të Novobërdës, Abdyl Gashi, ka premtuar reformë në arsim, shëndetësi, bujqësi e zhvillim rural në këtë komunë nëse fiton zgjedhjet.

Ai është zotuar publikisht se do ta zgjidhë edhe çështjen e transportit publik.

“Ne si VV jemi bazuar në nevojat e qytetarëve të Novobërdës për programin tona katër-vjeçar. Ne duam të bëjmë reforma në arsim, shëndetësi, bujqësi dhe zhvillim rural. Nga klasa e parë deri te e pesta do të japim shujta falas. Në arsim të gjitha shkollat të kenë material shpenzues dhe t’i bëjmë me kabinete përkatëse të gjitha shkollat. Çështjen e transportit zotohem se do ta zgjidhim në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse”, deklaroi Gashi në “60 minuta” të KTV-së.

17:45

Imeri i LDK-së premton reformë të thellë në administratën komunale të Novobërdës

Kandidati i LDK-së për komunën e Novobërdës, Bajrush Imeri, ka thënë se si pikë kryesore në planprogramin e tij e ka reformën e thellë në administratën komunale.

Përveç kësaj, ai ka thënë se turizimi rural, bujqësia dhe transporti publik janë tjera çështje shumë të rëndësishme.

“Sinqerisht, komuna e Novobërdës ka qenë në gjendje të vështirë vazhdimisht pasi është udhëhequr gjatë nga serbët. Nuk kemi pas shumë mundësi me intervenuar. Si pikën e parë në planprogramin tim është reforma e thellë në administratë komunale, pasi është degraduar tërësisht. Turizmi rural do të jetë një tjetër pikë e rëndësishme e programit tonë. Çështja e bujqësisë do të jetë gjithashtu nga prioritetet tona, pasi ne çdo vit i ndajmë 50 mijë për subvencionimin e bujqve. Projekti më jetik i infrastrukturës është transporti publik”, ka thënë Imeri në “60 minuta” të KTV-së.

17:41

LDK-ja e VV-ja përplasen pse shqiptarët s’u bënë bashkë në Novobërdë

Partitë shqiptare në Novobërdë nuk kanë arritur të pajtohen që të emërojnë një kandidat të përbashkët për kryetar për zgjedhjet në këtë komunë.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Abdyl Gashi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajrush Imeri për kryetar të komunës së Novobërdës në zgjedhjet e 17 tetorit, janë përplasur në “60 minuta” të KTV-së lidhur me mosarritjen e një marrëveshjeje të partive shqiptare në këtë komunë për të garuar me një kandidat të vetëm.

Imeri i LDK-së ka deklaruar se janë mbledhur të gjitha partitë dhe në takimin e përbashkët ai ka marrë mbështetjen e AKR-së dhe AAK-së për kandidat, ndërkaq VV-ja ka qenë partia që e ka kundërshtuar figurën e tij.

“Ne kemi tentuar që të bëhemi bashkë, në vitet e kaluara e pamë që duke garuar të ndarë nuk arrijmë asgjë. Nuk arritëm marrëveshje, dy subjekte politike më dhanë mbështetje mua, AKR, AA. U tha që në këtë situatë çfarë e kemi, duke pasur parasysh që kam qenë kryetar në dy mandate, dhe duke shpresuar që unë mund të marrë vota edhe nga komuniteti serb, mos rastësisht po dalim fitues. Në parim e mora mbështetjen edhe nga PDK dhe VV, dhe u dakorduam edhe në rast se fitojmë si kryetar se cilat pozita do t’i takojnë kujt. U dakorduam që nëse arrijmë marrëveshje ta kemi me shkrim. Mirëpo në takimin tjetër kur u ulëm, qëllimi i VV-së ishte se nuk e përkrahim asnjë kandidat që vjen nga subjektet e tjera politike”, ka thënë Imeri.

Ndërkaq, Gashi i VV-së ka thënë se qëllimi i partisë së tij ishte që të mos garonin me një kandidat partiak.

“Isha në gjendje që të tërhiqesha, por ta gjejmë një njeri që i përfaqëson interesat e qytetarëve të Artanës, por të mos jetë nga strukturat e partive politike. Normalisht ne nuk ishim dakord as në takimin e parë. E ngritën këta si çështje që ne e mbështesim Bajrush Ymerin. Ata e mbështetën, mua më sollën në një pozitë të rëndë ku unë e kisha miratimin e kryesisë që ne të nxjerrim një kandidat konsensual, që të ishte një person jopartiak në mënyrë që ta arrijmë një qëllim madhor, por nuk e gjetëm këtë mbështetje, dhe kërkova që prapë të diskutojmë në nivel qendror se a mund ta arrijmë një konsensus të tillë”, është shprehur Gashi.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Imeri i cili ka thënë se VV-ja nuk dëshironte një kandidat për kryetar që i përkiste një partie politike, ndërkohë që sipas tij, kjo parti nuk ka ofruar emër se me kë do të duhej të garonin partitë shqiptare për Novobërdën.

Komuna e Novobërdës ka 33 fshatra dhe mbi 9.000 votues.

Svetislav Ivanoviq, nga Lista Serbe, ka udhëhequr në këtë komunë në 8 vitet e fundit, në dy mandate. Ivanoviq është i dënuar me tri vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare mirëpo Gjykata ia ka kthyer dënimin në gjobë.