Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar Gjilanin dhe ka vazhduar me krijimin e videove për fushatën e tij digjitale. Kandidati i kësaj partie, Nazim Gagica, ka premtuar se këtë qytet do ta bëjë të këndshëm për të jetuar. Haradinaj ka dalë në mbështetje edhe të kandidatit për Obiliqin, Xhelal Krasniqi, dhe ka premtuar rritje dhe zhvillim të vendit.
Si formë për fushatë digjitale, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur vizitën nëpër qytete.
E kjo është forma se si kjo parti ka vendosur të vazhdojë fushatën elektorale.
Kreu i AAK-së vizitoi Gjilanin e kërkoi voton e qytetarëve për ta mbështetur kandidatin e tyre, Nazim Gagica.
Ndërsa kandidati për Gjilanin, Nazim Gagica, premtoi 58 projekte infrastrukturore dhe tha se Gjilanin do ta shndërrojnë në një vend të këndshëm për të jetuar.
Ndërsa ne Facebook Haradinaj nëpërmjet një videoje ka thënë se kandidati për Obiliqin, Xhelal Krasniqi, është njeri i dëshmuar dhe me vizion.
Haradinaj për qytetarët e Obiliqit premtoi zhvillim.
“Ju siguroj që me Xhelalin dhe me asamblistët tonë, Obiliqi do ta zhvillojë rritjen dhe zhvillimin dhe do t’ ju qëndrojë besnik si në të kaluarën”, ka thënë Haradinaj.
E edhe kandidati për Komunën e Prishtinës, Daut Haradinaj, e ka vazhduar fushatën e tij digjitale.
Në Facebook ai ka publikuar video nga takimi me banorët e disa lagjeve dhe me biznese ku ka premtuar zgjidhje të problemeve.