Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / LDK shkel masat - premton çerdhe dhe mbështetje grave e fermerëve

Ndonëse kishin paralajmëruar se fushatën konvencionale nga 30 do ta reduktonin në 5 ditë, megjithatë, kandidatët e kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk po i përmbahen vullnetit të partisë. LDK-ja ka shkelur masat anti-COVID në disa tubime elektorale që ka mbajtur. Të martën kjo parti premtoi çerdhe, biblioteka e fusha sportive në Prishtinë

Deklarimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës se do të zhvillojnë fushatë në përputhshmëri të plotë me rekomandimet shëndetësore, nuk i është përmbajtur as vetë kreu i saj, Lumir Abdixhiku. Të hënën në një tubim të LDK-së në Viti, ku Abdixhiku mori pjesë bashkë me kandidatin Sokol Haliti, u shkelën masat për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit. Njëjtë masat nuk i ka respektuar as kandidati për Vushtrrinë, Xhafer Tahiri. Tahiri që synon mandatin e dytë në krye të këtij qyteti, të hënën mbrëma ka mbajtur një tubim elektoral me numër të madh të njerëzve. Aty ka premtuar projektin për ngrohtoren e qytetit dhe parkingje publike.

“E kemi bërë qytetin të jetueshëm ku çdo çift i ri realizon ëndrrën për jetë e për banim me çmim të përballueshëm, sepse nuk kemi rritur taksën për ndërtim dhe kemi lejuar zhvillimin e ndërtimin e qytetit. Tani radhën e kanë projektet për të gjithë, ngrohtorja e qytetit e parkingjet publike”, ka deklaruar Tahiri.

Në takimet e kandidatëve me qytetarë në kuadër të fushatës janë dhënë premtime të shumta gjatë së martës. Kandidati për Prishtinën, Përparim Rama, ka vizituar disa lagje të Prishtinës. Në rrugën “Muharrem Fejza”, Rama thotë se ka biseduar me banorët për problemet e tyre duke filluar nga infrastruktura rrugore, kanalizimi, ndriçimi rrugor, telat e rrymës, qentë endacakë, mungesa e trafikut urban dhe e çerdheve, probleme të cilat, sipas tij, kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Premtime për çerdhe, parqe e biblioteka Rama u ka dhënë edhe banorëve të lagjes “Kolovica”.

“Në këtë lagje do të ndërtohet një park, një shtëpi e kulturës, fusha sportive, po ashtu kjo pjesë ka nevojë për ndërtimin e një biblioteke, çerdhe dhe të ketë ndriçim rrugor”, ka deklaruar ai. E rrugës për Butovc, Rama ka thënë se do ta ndërtojë një shteg për garë për motoçiklistët, garë e cila do të mbahet çdo vit.

Takime elektorale ka mbajtur edhe kandidati për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri. Në një bashkëbisedim me gratë afariste të Gjilanit, Haziri premtoi subvencionim për bizneset e prekura nga pandemia.

“Në kuadër të mbështetjes për gratë, ne e kemi implementuar programin tim të përzemërt ‘Gratë në biznes’, me mbështetje të fondeve IPA të BE-së. Në vitin e parë të qeverisjes, do të mundohemi të gjejmë mundësi që t’i subvencionojmë bizneset e prekura nga pandemia, me të gjitha kapacitetet komunale, për operim sa më të suksesshëm”, ka thënë Haziri.

Ndërsa mbështetje fermerëve është zotuar t’u japë kandidati për Istogun, Ilir Ferati, i cili, bashkë me ish-ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa, kanë takuar fermerë ku, ndër të tjera, me ta kanë diskutuar për subvencionimin e prodhimtarisë bujqësore.

“Qeverisja jonë komunale do të jetë katalizator i zhvillimit të bujqësisë, andaj fermerët do të subvencionohen në baza të rregullta, do të asistohen në pagesat e kamatave dhe do të kenë përkrahje të vazhdueshme institucionale”, ka thënë Ferati.

E kandidati për Mitrovicën, Armend Agolli, ditën e gjashtë të fushatës e ka rezervuar për t’iu bërë ftesë publike për kafe në pjesën veriore të Mitrovicës kundërkandidatëve të tij, Agim Bahtirit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Bedri Hamzës nga Partia Demokratike e Kosovës. Agolli ka thënë se ky takim me ta ka të bëjë më shumë me përpjekje për qetësimin e situatës në veri.