Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / LDK-ja premton rrugën Dragash-Kukës

Në kuadër të zotimeve elektorale, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Dragashin, Bexhet Xheladini, ka premtuar lidhje të Dragashit me Kukësin nëpërmjet infrastrukturës rrugore. Infrastruktura rrugore, trajtimi i ujërave të zeza dhe atyre atmosferike e mbështetja e grave në biznes, janë disa nga premtimet e kandidatëve të tjerë të LDK-së

Gjatë së hënës, kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dhënë një varg premtimesh elektorale nga infrastruktura deri te mbështetja për gratë.

Pretendentët për kryetarë të Komunave kanë premtuar lidhje rrugore në mes të Dragashit e Kukësit, trajtim të ujërave të zeza, ruajtje të trashëgimisë kulturore, renovim e zgjerim të bibliotekave e mbështetje për gratë në biznes.

Qytetarëve të Prishtinës përkatësisht atyre që jetojnë në Rrugën B, kandidati i LDK-së për kryeqytetin, Përparim Rama, u ka premtuar ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza. Nën udhëheqjen e tij, Rama ka thënë se projekte primare do të jenë vazhdimi i Rrugës "B" dhe trajtimi urgjent i kolektorit.

“Problemi i Rrugës B me kolektor këtu nuk është ngritur kurrë dhe shkakton një problematikë të madhe këtu. Era po i vjen, nuk e di qysh munden këta njerëz këtu të jetojnë. Kjo ka me u rregullu menjëherë me ndërtimin e Rrugës B me ndërlidhjen dhe ndërtimin e kolektorit dhe të gjitha gjërave që me u lidhë me Rrugën A”, ka thënë ai.

Përveç kolektorit, kandidati për Prishtinën të hënën ka mbajtur takime edhe për trashëgiminë kulturore. Ai tha se Komuna me të cilën do të udhëheqë, do të përkrahë çdo iniciativë e çdo nismë që ka të bëjë me promovimin e vlerave kulturore, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe krijuesit e rinj të secilës sferë kreative.

“Pa kulturë të dinjitetshme nuk ka të ardhme të ndritur, prandaj duhet t’i përkushtohemi me shumë përgjegjësi ruajtjes së trashëgimisë kulturore, krijimit të vlerave kulturore duke i përkrahur institucionet kulturore në Komunën e Prishtinës të cilat janë aset i çmuar që duhet vlerësuar maksimalisht”, ka shtuar ai.

Pretendenti për të parin e Prizrenit, Anton Quni, është zotuar se do të gjejë zgjidhje për problemet me ujin nga reshjet atmosferike që kanë prizrenasit.

“Kjo qeveri lokale, Prizrenin e ka lënë me infrastrukturë rrugore në gjendje të mjerueshme, pothuajse si në vitet e pasluftës, se për atë të shkarkimit të ujërave atmosferike as që është menduar. Ne i rregullojmë”, ka thënë Quni.

Gjatë së hënës, fushatë ka zhvilluar edhe kandidati i LDK-së për Mitrovicën, Armend Agolli. Në takimet e tij, Agolli që është mjek me profesion, pas vetes po mban gjithnjë një banner me të cilin po bën thirrje për vaksinim. Në Dragash kandidati, Bexhet Xheladini ka vizituar Lumin Plava ku është zotuar që nëpërmjet infrastrukturës rrugore do ta mundësojë lidhjen e Dragashit me Kukësin.

“Vizituam edhe pjesën përgjatë Lumit Plava, ku planifikojmë që në kuadër të investimeve kapitale, të ndërtojmë infrastrukturën rrugore, e cila do të mundësojë lidhjen e Dragashit me Kukësin”, ka deklaruar Xheladini.

E kandidatja për Deçanin, Hyri Dobrunaj, në kuadër të fushatës ka vizituar biblotekën e qytetit, gjendja e së cilës, sipas saj, është e mjerueshme. Dobrunaj ka premtuar se me të marrë mandatin, do ta bëjë rinovimin e objektit e do ta rrisë numrin e titujve.

“Rinovimi i saj do të jetë prioritet ynë i menjëhershëm, rritja e numrit të titujve, digjitalizimi, modernizimi i inventarit janë premtimet tona për Bibliotekën e Qytetit të cilen nga pamjet e zymta e kushteve të mjerueshme do ta kthejmë në vendin dhe ambientin e dashur për të gjithë dashamirët e leximit të librit”, ka potencuar ajo.

Ndërsa në Istog, kandidati Ilir Ferati, është zotuar për mbështetje të plotë ndaj bizneseve që udhëhiqen nga gratë.