Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ VV-ja premton nga Prizreni gjelbërim dhe shteg për çiklistë

“Bashkë qeverisim” është slogani që do ta përcjellë fushatën e kandidatëve për kryetarë komunash e asamble, të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e 17 tetorit.

Përmes një postimi në Facebook, në faqen zyrtare të LVV-së është thënë se kjo parti ka programin më modernizues, të ndershëm e humanist për këto zgjedhje.

E ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka gjetur kohë këtë të diel që ta vizitojë Degën e LVV-së në Lipjan, ku ka takuar gra e aktiviste.

Adnan Rrustemi, kandidat për kryetar të Lipjanit, ka thënë se me ministren kanë biseduar për përkrahjen nga ana e Qeverisë, për hartimin e zbatimin e projekteve që janë përfshirë në programin e tij qeverisës.

E që Prizreni do të bëhet kryeqytet i zhvillimit të gjelbër, me shtegun më të madh për këmbësorë dhe për çiklistë në rajon, ka premtuar kryetari aktual e kandidat për kryetar të kësaj komune, Mytaher Haskuka.

Ai ka shpërndare një video të një aktiviteti që është quajtur “Dita pa makina në Prizren”, e që makinat janë zëvendësuar me biçikleta.

Në anën tjetër, Agim Bahtiri ka vendosur që në këtë ditë vikend ta vizitojë qendrën e vaksinimit në Mitrovicë, ku edhe ka thënë se ka parë nga afër punën dhe sakrificën që po e bëjnë punëtorët shëndetësorë për të imunizuar qytetarët.

Edhe Alban Krasniqi, kandidat nga LVV-ja, ka shpërndarë një pjesë të programit të tij që ka të bëjë me shëndetësinë. Ai është zotuar se “nëse LVV-ja vjen në krye të Malishevës shëndetësia do të ketë trajtimin e duhur nga komuna”.

Por, në Komunën e Ferizajt kandidatët për Asamble u përballën me dëmtim të panove që kanë vendosur në qytet. Faqja zyrtare e LVV-së, Dega në Ferizaj, përmes një statusi në Facebook kanë treguar se është larguar një pano e Liridon Selimit, e që kjo gjë, sipas tyre, dëshmon se në zgjedhjet e tetorit LVV-ja do dalë fituese.

Ata kanë akuzuar subjektet e tjera politike për këtë, duke thënë se kjo nuk i dëmton, por ua rrit besimin dhe angazhimin për fitoren e këtyre zgjedhjeve.