Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ VV-ja me fokus për QKMF-të në Malishevë e Gjilan

Rregullimin e infrastrukturës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë e ka premtuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje.

Alban Krasniqi, kandidat për kryetar i kësaj partie, të shtunën e ka vizituar objektin e QKMF-së. Ai ka dhënë detaje për rregullimet që planifikon t’i bëjë, nëse siguron mandatin.

“Do të përmirësohen kushtet brenda QKMF-së, në atë mënyrë që këtu, së pari do të vendoset një ashensor, që është kërkuar qe tre vjet me radhë, dhe kam qenë njëri nga ata që kanë shtyrë një kërkesë të tillë, nuk është realizuar por do të realizohet”, ka thënë Krasniqi.

Lëvizja Vetëvendosje, ditën e tretë të fushatës zgjedhore e ka përqendruar te postimet në rrjetet sociale.

Me fushatë zgjedhore ka vazhduar edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni. Në një vizitë te shoqata “Handikos”, ka premtuar dhoma të veçanta në QKMF, për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Do të krijojmë mundësi për inkuadrimin e tyre nëpër shkolla, krijimin e dhomave të veçanta në QKMF, organizimin e takimeve të rregullta, si dhe do ta inkuadrojmë këtë komunitet në vendimmarrje për realizimin e projekteve të ndryshme”, ka premtuar Alban Hyseni.

I bindur në fitore është shprehur, ndërkaq, kryetari aktual i Prizrenit. Nëpërmjet një videoje, Mytaher Haskuka madje ka thënë se garën do ta fitojë pa balotazh.

Derisa, deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga kjo komunë, Artan Abrashi, ka thënë se me fitoren e Haskukës e kanë goditur krimin e organizuar.

E Mimoza Kusari, nëpërmjet rrjetit social Facebook ka postuar foto të vizitave të saj në lagjet e Gjakovës.