Gjelbërim, shtigje për biçikleta dhe zhvillim teknologjik ka premtuar për Gjilanin Lutfi Haziri, kandidat i LDK-së për këtë komunë.
“Programin e qytetit të mençur ‘Smart City’ ne mendojmë ta menaxhojmë shumë programe që lidhen me shërbime, me energji, me ujë, me mbulesën Wi-Fi të qytetit për shkak të shkollave”, ka premtuar Haziri.
Në një takim me të rinjtë Haziri, duke i kërkuar edhe katër vjet në krye të Komunës, ka dhënë premtim të madh.
“Ne po duam me e bë një Gjilan të ri, me e bo ‘eco’ qytet, green city, bike city dhe smart city”, ka thënë tutje ai.
Edhe kandidati për Vushtrrinë, Xhafer Tahiri, ka prezantuar programin e tij në mënyrë digjitale.
Ndërsa kandidati për Prishtinën, Përparim Rama, është takuar me grupin “Marakli t’biciklave”. Atyre u ka premtuar shtimin e korsive për biçikleta dhe rritjen e sigurisë në rrugët e qytetit.
E qendër të avancuar për analiza e transport urban u ka premtuar qytetarëve Armend Agolli, kandidat për Mitrovicën.
Në takim me qytetarët ai u ka thënë se me të kryetar transportin urban do ta kenë falas pensionistët, studentët dhe familjet me asistencë sociale.