Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ PDK-ja premton autobusë elektrikë për Prizrenin

Partia Demokratike e Kosovës, në ditën e dytë të fushatës zgjedhore ka shmangur takimet e kandidatëve me simpatizantë.

Shaqir Totaj, kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit, ka zgjedhur që një pjesë të fushatës ta bëjë në rrjete sociale me moton “Qytetarët pyesin, kryetari përgjigjet”.

Në një përgjigje ndaj një qytetareje, Totaj ka premtuar se do ta rregullojë çështjen e “Transitit të ri”, brenda 6 muajve të parë, në rast se zgjidhet kryetar.

Ai ka premtuar edhe blerjen e autobusëve elektrikë dhe ndriçim publik në pjesët historike të Prizrenit.

Ndërkaq Ali Nimanaj, kandidat në Komunën e Istogut, premtimet e tij i ka orientuar nga sporti.

Ai ka premtuar më shumë poligone e salla sportive.

“Mbështetja për klubet e sportit në Istog ka qenë shumë e vogël, sportistët na kanë bërë krenarë me sukseset e arritura në garat vendore dhe ndërkombëtare, ata meritojnë shumë më shumë përkrahje. Ne do ta shumëfishojmë mbështetjen për sportistët duke siguruar financim të qëndrueshëm për klubet, më shumë poligone e salla sportive e më shumë gara në nivel komunal.”

Dega e PDK-së në Ferizaj, me gjithë paralajmërimin për fillimin e fushatës në këtë komunë, ka anuluar aktivitetin.

Lideri i partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqi ka thënë të enjten se e gjithë fushata do të jetë virtuale.