Agron Demi nga instituti GAP ka thënë se partitë kanë treguar seriozitet më të madh me kandidaturat e tyre për kryetarë komunash, për zgjedhjet lokale të tetorit.
Në emisionin Desku në KTV, Demi ka thënë se është ngritur vetëdija, si te partitë dhe kandidatët, por edhe te qytetarët.
“Po shpresoj se realizimi i premtimeve do të jetë edhe më i madh. Ka seriozitet më të madh të partive se kë të kandidojnë. Ka vetëdijesim të kandidatëve. Ka vetëdijesim te qytetarët dhe kjo është më e rëndësishmja që të zgjidhen kandidatët me ofertën më të mirë. Më 2017 i kemi pyetur qytetarët se çka e determinon votën e tyre. Shumica janë përgjigjur se është programi, e tash fatkeqësisht ende s’kanë programe. Premtimet i nxjerrin në emisione në programe kur pyeten se çka do të bëjnë për një problem të caktuar. Pak kandidatë dalin me programe të shkruara”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në një anketim të 2017-s për zgjedhjet lokale, qytetarët kishin treguar po ashtu se nuk do të votojnë njëjtë si në zgjedhjet qendrore.
Sot instituti GAP publikoi raportin më të fundit rreth përmbushjes së premtimeve të kryetarëve të komunave nga zgjedhjet lokale të vitit 2017. Ky monitorim përfshin realizimin e premtimeve për mandatin katërvjeçar. Sipas raportit, gjatë këtij mandati janë përmbushur vetëm gjysma e premtimeve të dhëna, ndërkohë që 95 për qind e premtimeve të papërmbushura ishin kompetencë e vetë komunave.
Demi ka thënë se shumica e premtimeve që s’janë përmbushur kishin të bënin me ndërthurjen e vendimit me Qeverinë.
“Te premtimet që kanë dështuar këtë mandat, ka tendencë të projekteve kur kërkohet edhe ndërhyrja e nivelit qendror, qoftë me financim apo intervenime tjera. ka premtime për themelime të ndërmarrjeve, e kjo kërkon aprovim dhe ato zvarriten”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se vazhdimisht në Kosovë ka pasur favorizime nga ana e Qeverisë për komunat që udhëhiqeshin nga partia e njëjtë që është në pushtet në nivelin qendror.