Lifestyle

Trauma në fëmijëri lë gjurmë të qëndrueshme në trup

Trauma

Trauma

Studimi i botuar në revistën Biological Psychiatry, me titull “The Metabolomic Signature of Childhood Trauma”, i udhëhequr nga Camille Souama dhe Brenda Penninx tregon se trauma e përjetuar në fëmijëri mund të lërë shenja të përhershme në mënyrën se si funksionon metabolizmi i trupit.

Sipas studiuesve, të rriturit që kanë kaluar trauma gjatë fëmijërisë shfaqin ndryshime të qëndrueshme në përbërjen kimike të gjakut, madje edhe dekada më vonë, dhe këto ndryshime janë më të forta sa më e rëndë të ketë qenë trauma.

“Rezultatet tona tregojnë lidhje biologjike midis vështirësive në jetën e hershme dhe rrezikut të shtuar për probleme fizike dhe mendore më vonë”, thuhet në raportin e studimit, raporton PsyPost.

Studiuesit u përqendruan te metaboloma, pra te grupi i të gjitha molekulave të vogla në trup që lidhen me proceset jetike, si aminoacidet, yndyrat dhe sheqernat. Ato janë si “gjurmët kimike” të asaj që ndodh në trup në çdo moment dhe mund të tregojnë sinjale të hershme për sëmundje, inflamacion apo stres.

Në studim morën pjesë afro 3,000 të rritur nga Holanda, të cilëve iu morën mostra gjaku në dy periudha, në fillim të studimit dhe pas gjashtë vitesh. Secili prej tyre u pyet për përvoja të traumës para moshës 16 vjeç, si abuzim emocional, fizik ose seksual dhe neglizhencë emocionale.

Rezultatet zbuluan 18 metabolite që lidhen drejtpërdrejt me traumën në fëmijëri, nëntë ishin në nivele më të larta, dhe nëntë më të ulëta. Sa më e madhe të ishte trauma, aq më të theksuara ishin ndryshimet.

“Pamë një lidhje të qartë ‘dozë-përgjigje’, më shumë trauma, më shumë ndryshime në metabolizëm”, kanë deklaruar studiuesit.

Ndryshimet biologjike që vërehen

Disa nga metabolitet e rritura përfshinin substanca që lidhen me ndarjen e yndyrave dhe aminoacideve, si 2-methylbutyrylcarnitine dhe propionylcarnitine. Këto tregojnë ndryshime në mënyrën si trupi prodhon energji dhe përpunon ushqimin, gjë që mund të nënkuptojë “lodhje” të mitokondrive ose stres metabolik.

Nga ana tjetër, niveli i hormoneve të stresit, kortizol dhe kortizon, ishte më i ulët te personat me trauma të hershme. Këto hormone, që prodhohen nga gjëndrat mbiveshkore, ndihmojnë trupin të përballojë stresin. Ulja e tyre tregon se sistemi që kontrollon reagimin ndaj stresit, i njohur si HPA axis, mund të ketë ndryshime afatgjata.

“Këto gjetje sugjerojnë se trauma në fëmijëri mund të ndikojë në trup përmes rrugëve biologjike që lidhen me stresin, jo vetëm nëpërmjet gjendjes mendore”, thuhet në raportin e studimit.

Disa nga metabolitet e ndryshuar janë lidhur më parë me sëmundje të zemrës apo depresionin, por disa të tjera nuk kishin asnjë lidhje të njohur, çka tregon se trauma mund të lërë gjurmë përtej çrregullimeve mendore.

Pse është i rëndësishëm ky zbulim

Studiuesit theksojnë se rezultatet mbetën të njëjta edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë si pesha trupore apo përdorimi i barnave që ulin nivelin e yndyrës së dëmshme në gjak. Kjo tregon se ndryshimet nuk vijnë vetëm nga mënyra e jetesës, por nga vetë ndikimi biologjik i traumës.

“Kjo tregon se efekti i traumës nuk është thjesht psikologjik, ai është i skalitur në vetë metabolizmin e trupit”, ka thënë bashkautorja Camille Souama.

Megjithatë, ekipi paralajmëron se studimi ka kufizime. Shumica e pjesëmarrësve ishin me origjinë veriore-evropiane, ndaj rezultatet mund të mos vlejnë për të gjitha grupet etnike. Po ashtu, ushqyerja, e cila ndikon drejtpërdrejt në metabolitët e gjakut, nuk u mor në analizë.

Sipas autorëve, hapi i radhës është të zbulohet nëse këto “shenja metabolike” mund të përdoren për të identifikuar njerëzit me rrezik më të lartë për sëmundje dhe nëse ndryshimet në stilin e jetës, si ushqimi, aktiviteti fizik apo menaxhimi i stresit, mund t’i zbusin këto pasoja biologjike.