Lifestyle

Studiuesit pretendojnë se brenda dy vjetësh është e gatshme teknologjia që parashikon sulmet në zemër

Humbja e jetës nga problemet e lidhura me zemrën ndodhin papritur dhe shpesh pa paralajmërim, ndaj ato janë pothuajse të pamundura për t’u parashikuar. Por kjo mund të ndryshojë, falë teknologjisë së imazhit 3D dhe inteligjencës artificiale.

Studiuesit në Universitetin Johns Hopkins, po punojnë për të krijuar modele më të sakta dhe të personalizuara të zemrës së një të sëmuri.

“Tani për tani, mund të themi vetëm nëse një pacient është në rrezik apo jo për një goditje të papritur në zemër”, thotë Dan Popescu, shkencëtar i këtij kërkimi.

Me teknologjinë e re, studiuesit mund të jenë në gjendje jo vetëm të parashikojnë nëse dikush është në rrezik për një sulm të papritur kardiak, por edhe kur kjo ka më shumë gjasa të ndodhë.

Testet e sotme ofrojnë disa njohuri për përbërjen e zemrës. Ato ofrojnë vetëm një fotografi, duke treguar shëndetin e zemrës vetëm në një moment dhe nuk mund të parashikojnë të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse shkencëtarët po shkojnë më tej për të zhvilluar kopje dixhitale 3D të zemrës, të njohura si modele llogaritëse.

Modelet llogaritëse janë kopje të simuluara me kompjuter që kombinojnë matematikën, fizikën dhe shkencat kompjuterike.

Këto modele kanë ekzistuar për një kohë të gjatë dhe përdoren në shumë fusha. Në mjekësi, këto modele janë të mbushura me “qeliza” dixhitale.

Ato imitojnë qelizat e gjalla dhe mund të programohen me veti të ndryshme elektrike, në varësi të faktit nëse janë të shëndetshme apo jo.

Duke i shtohet këtij imazhi dixhital një stimul elektrik, studiuesit mund të vlerësojnë se si zemra mund të përgjigjet dhe të parashikojnë se çfarë do të ndodhë.

Kjo lloj teknologjie nënkupton se edhe trajtimet do të jenë më të mira dhe më të sakta për sëmundjet e zemrës.

Hulumtuesit parashikojnë se imazhi 3D i modeleve të zemrës mund të jetë i disponueshëm në 2 vjet.

Megjithatë kjo lloj teknologjie do të kërkojë më shumë studime dhe miratim, kështu që afati kohor nuk dihet ende saktë. /AgroWeb