Një studim i ri i Universitetit të Kalifornisë në San Francisko (UCSF) ka konfirmuar një shqetësim të madh për shëndetin mendor të të rinjve: sa më shumë kohë kalojnë fëmijët në rrjete sociale, aq më shumë shtohen simptomat e depresionit, dhe anasjelltas, ka raportuar NeuroscianceNews.
Hulumtimi, i botuar në JAMA Network Open dhe i mbështetur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH), ndoqi gati 12 mijë fëmijë nga mosha 9 deri në 13 vjeç për tre vjet.
Rezultatet ishin alarmante:
-Koha mesatare ditore në rrjete sociale u rrit nga 7 minuta në 73 minuta.
-Simptomat e depresionit u shtuan me 35%.
-Fëmijët që ishin viktima të ngacmimeve online kishin 2.6 herë më shumë gjasa të mendonin për vetëvrasje.
“Ka pasur debat nëse rrjetet sociale shkaktojnë depresion apo thjesht reflektojnë një gjendje depresive ekzistuese. Ky studim tregon se rrjetet sociale ndihmojnë në zhvillimin e simptomave të depresionit”, ka thënë drejtuesi i studimit, doktori Jason Nagata.
Çfarë e bën këtë studim të veçantë?
Ndryshe nga shumica e hulumtimeve që janë kryqëzuese (në një moment të vetëm), ky studim përdori të dhëna gjatë kohës për të ndjekur ndryshimet në çdo fëmijë individualisht. Kjo metodë i jep më shumë peshë lidhjes “shkak-pasojë” midis përdorimit të rrjeteve sociale dhe depresionit.
A ndikon depresioni në përdorimin e rrjeteve sociale?
Jo. Studimi tregoi se simptomat e depresionit nuk e shtojnë më vonë përdorimin e rrjeteve sociale, duke rrëzuar idenë se fëmijët depresivë kërkojnë rrjetet sociale si formë izolimi.
Pse rrjetet sociale janë problematike?
Sipas autorëve, rrjetet sociale përfshijnë rreziqe si mungesa e gjumit, ngacmimi virtual (cyberbullying) dhe krahasimi i pamëshirshëm me të tjerët. Në një studim tjetër paralel të publikuar në The Lancet Regional Health – Americas, ekipi i doktorit Nagata ka zbuluar se fëmijët që ishin ngacmuar në internet kishin:
-2.62 herë më shumë rrezik për mendime vetëvrasëse ose tentativa vetëvrasjeje.
-4.65 herë më shumë mundësi të provojnë marihuanën,
-3.37 herë më shumë mundësi të provojnë nikotinën,
dhe 1.92 herë më shumë mundësi të provojnë alkoolin brenda një viti.
Si duhet të reagojnë prindërit?
Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon përdorimin e “Family Media Plan” për të ndërtuar zakone të shëndetshme digjitale për të gjithë familjen.
“Si baba i dy fëmijëve të vegjël, e di që t’u thuash ‘hiqe telefonin’ nuk funksionon. Prindërit duhet të japin shembull me biseda të hapura dhe pa gjykim për përdorimin e ekranit. Koha pa ekrane për gjithë familjen, gjatë vakteve apo para gjumit, mund të ndihmojë të krijohen zakone më të mira”, ka thënë Nagata.
Ekspertët sugjerojnë që mjekët, shkollat dhe prindërit duhet të ndërhyjnë herët për të parandaluar pasojat afatgjata të ekspozimit ndaj rrjeteve sociale.