Studimi i ri i kryer në Brazil me 805 të rritur në të pesëdhjetat ka zbuluar se humbja e dëgjimit lidhet drejtpërdrejt me përkeqësimin e shpejtë të kujtesës, të gjuhës dhe të aftësive mendore, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e demencës, ka raportuar NeuroscienceNews.
Rënie më e shpejtë e aftësive njohëse
Personat me humbje të dëgjimit pësuan përkeqësim më të madh të funksioneve njohëse gjatë një periudhe prej tetë vjetësh, krahasuar me ata që kishin dëgjim normal.
Studiuesit kanë identifikuar dy shkaqe kryesore që e lidhin humbjen e dëgjimit me rënien e aftësive mendore:
- Mungesa e stimulimit të trurit, pasi dëgjimi është një nga rrugët kryesore për të marrë informacione, mungesa e tij ndikon në mosaktivizimin e zonave të trurit.
- Izolimi social, vështirësitë në dëgjim çojnë shpesh në tërheqje nga komunikimi dhe aktivitetet sociale.
“Dëgjimi është rrugë hyrëse shumë e rëndësishme për informacione që truri përdor për të dhënë përgjigje. Kur kjo rrugë ndërpritet, zona të caktuara të trurit nuk stimulohen më dhe kjo përshpejton rënien e aftësive njohëse”, ka thënë doktoresha Claudia Suemoto, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të São Paulos dhe autore e studimit.
Ajo ka shtuat se pothuajse të gjithë njerëzit e njohin dikë të moshuar që nuk dëgjon mirë.
“Duhet të flasim më me zë, të përsërisim fjalitë, dhe në fund ata ndihen të përjashtuar. Mbyllen në vetvete dhe distancohen nga të tjerët”, ka thënë Suemoto.
Si u zhvillua studimi?
Pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve të dëgjimit dhe testeve mendore tri herë brenda tetë vjetëve. Në përfundim, ata me humbje dëgjimi kishin rënie më të madhe të pikëve në testet e kujtesës, të rrjedhshmërisë verbale dhe të funksioneve ekzekutive.
Faktor që mund të parandalohet
Humbja e dëgjimit është i njohur si faktor i modifikueshëm i rrezikut për demencën. Kjo do të thotë se mund të parandalohet ose të trajtohet.
“Zakonisht kalon kohë para se njerëzit të kuptojnë që po humbasin dëgjimin. Ata përshtaten me situatën pa e kuptuar. Por me testime të thjeshta, kjo mund të diagnostikohet dhe të korrigjohet me aparate dëgjimi”, ka theksuar Suemoto.
Shkaqet më të zakonshme?
Sipas saj, shumë raste të humbjes së dëgjimit në moshë të mesme lidhen me zhurmën në vendin e punës dhe përdorimin e kufjeve me volum të lartë. “Ka shumë profesione që i ekspozojnë njerëzit ndaj zhurmës së lartë. Këta persona duhet të përdorin pajisje mbrojtëse", ka këshilluar ajo.
Rëndësia për vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta
Deri në vitin 2050, mbi 70% e rasteve të demencës pritet të ndodhin në vende si Brazili, sipas Suemotos.
“S’ka si të plakemi si shoqëri me nivele të tilla të demencës. Ndaj është jetike të kuptojmë faktorët që mund t’i parandalojmë”, ka përfunduar ajo.
Përveç dëgjimit, studiuesit kanë listuar edhe 11 faktorë të tjerë të ndryshueshëm që ndikojnë në demencë: arsimimi i ulët, tensioni i lartë, dëmtimet e trurit, diabeti, obeziteti, pirja e alkoolit, duhanpirja, depresioni, qëndrimi ulur për kohë të gjatë, ndotja e ajrit dhe izolimi social.
Ky studim është pjesë e iniciativës ELSA-Brasil, një projekt afatgjatë që monitoron të dhënat e shëndetit të mbi 15,000 punonjësve publikë në Brazil që nga viti 2008. Ai u publikua në Journal of Alzheimer’s Disease dhe u mbështet nga agjencia kërkimore FAPESP.