“Vaksina ‘AstraZeneca’ ka shpëtuar me miliona jetë njerëzish. Pra, dobitë e vaksinimit i tejkalojnë rreziqet potenciale”, ka thënë Kavsar Talat, epidemiologe në Universitetin Johns Hopkins
Përherë e më shumë njerëz nëpër botë po e shfrytëzojnë mundësinë për vaksinim. Për këtë arsye po shtohen edhe pyetje të shumta si sa efikase janë vaksinat e sa janë të sigurta? Dhe në çfarë krejt duhet kushtuar vëmendje?
Teksa nuk kanë kaluar as tetë muaj qëkur është miratuar për përdorim vaksina e parë kundër koronavirusit, veçse një e katërta e gjithë popullatës botërore është vaksinuar tërësisht. Agjencia gjermane e lajmeve “Deutsche Welle” kujton se kurrë më parë në histori nuk ka pasur fushatë më të shpejtë dhe më të madhe të vaksinimit.
Prodhuesit e kurave vazhdimisht po i rrisin kapacitetet e prodhimit dhe për këtë arsye vaksinat janë përherë e më të qasshme, dhe atë edhe në vendet ku fillimisht është shënuar debakël për sasi të pakta, kryesisht në vendet e Afrikës, në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Qendrore dhe Juglindore.
Dhe pikërisht për faktin se gjithnjë e më shumë njerëz kanë mundësi që të vaksinohen edhe po shtohen pyetje të shumta rreth efikasitetit, sigurisë dhe vëmendjes që duhet kushtuar për vaksina. Në vijim, “Deutsche Welle” numëron shtatë gjëra që duhen ditur lidhur me vaksinat.
Kush do të duhej vaksinuar së pari?
Prioritetet i autoriteteve shëndetësore në vende të ndryshme dallojnë theksueshëm, ka thënë Derick Williams, redaktor i redaksisë së “Deutsche Welles” për shkencë, i cili në fillim të pandemisë përgjigjej në pyetjet e shikuesve të një emisioni të veçantë kushtuar zhvillimeve.
“Me rastin e shpërndarjes së vaksinave, autoritetet duhet të bëjnë kompromise. Për shembull, a është më me rëndësi që së pari të vaksinohen më të cenuarit apo më përpara ata që janë në rrezikun më të madh nga infektimi, ngase mund t’i infektojnë edhe të tjerët”, ka theksuar ai, duke shtuar se vendet me banorë më të moshuar e kanë zgjedhur opsionin e parë. “Dhe kjo përzgjedhje ka ndihmuar në uljen e shkallës së vdekjeve dhe vuajtjeve”.
Kësisoj ka vepruar edhe Gjermania, kujton DW-ja. Së pari ka vaksinuar personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike, më pastaj më të moshuarit se 60 vjeç, e vetëm pas kësaj të gjithë të tjerët.

A janë krejt vaksinat njësoj të sigurta?
Vaksinat e miratuara për përdorim në Bashkimin Evropian vetëm pak dallojnë në aspektin e sigurisë dhe efikasitetit. Ekzistojnë vaksina vektorë, si ato të “AstraZenecas” dhe “Johnson & Johnsonit”, dhe ato mARN, që janë të kompanive “Pfizer”/”BioNTech” dhe “Moderna”.
“Deutsche Welle” specifikon se ndonjëherë pas vaksinimit shfaqen simptoma të ngjashme me gripin – kokëdhembja dhe ethet. Porse ato rëndom kalojnë shpejt dhe janë vetëm sinjale se sistemi imunitar reagon ndaj vaksinës. Komplikimet më të rënda janë jashtëzakonisht të rralla, për shembull te vaksinat vektorë janë shfaqur rastet e rralla të trombozës, si dhe rastet individuale të miokardit te vaksinat mARN.
“Vaksina ‘AstraZeneca’ ka shpëtuar me miliona jetë njerëzish. Pra, dobitë e vaksinimit i tejkalojnë rreziqet potenciale”, ka thënë Kavsar Talat, epidemiologe në Universitetin Johns Hopkins. Edhe kolegu i saj nga këshilli afrikanojugor për studime mjekësore në Capetown, Charles Wisong, pajtohet me të.
“Vaksinat janë dhuratë e madhe dhe ato shpëtojnë jetë. Por ato shpëtojnë jetë vetëm nëse njerëzit i marrin”, ka theksuar ai për “Deutsche Welle”.
A mund të kombinohen dy vaksina të ndryshme?
Njerëzit mund të vaksinohen edhe me lloje të ndryshme kurash, ka theksuar ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.
“Kombinimi i ‘AstraZenecas’ dhe i ‘Pfizerit’ ofron mbrojtje po aq të fortë sikurse kombinimi ‘Pfizer’-‘Pfizer’. Në disa raste edhe më shumë. Me fjalë të tjera, kur kombinojmë ‘AstraZenecan’ me vaksinën mARN (Pfizer apo Moderna), atëherë mund kemi kombinim shtesë që prodhon shkallë shumë, shumë të lartë të mbrojtjes”, ka thënë Spahn.
Nëse isha i infektuar, ç’më duhet vaksina?
Edhe personat që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19 do të duhej të vaksinoheshin, ka këshilluar mjeku Derick Williams.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencitë amerikane për Mbrojtje nga Sëmundjet Infektive e rekomandojnë vaksinimin, ngase edhe pas kalimit të COVID-19 njerëzit mund të sëmuren përsëri. Megjithëkëtë, rekomandimet se sa pas infektimit do të duhej pritur për vaksinim janë tejet të papërcaktuara”, ka theksuar Williamsi për “Deutsche Wellen”, duke shtuar se do të duhej kaluar të paktën disa javë.
Mjekët në Gjermani rekomandojnë që për vaksinim të këtillë të priten më së paku tre muaj apo, akoma më mirë gjashtë muaj pas largimit të simptomave.
A ndihmojnë vaksinat ndaj variantit Delta?
Viruset pësojnë mutacione shpejt dhe shpesh shfaqen variante të reja që përhapen nëpër botë. Varianti Delta aktualisht po përhapet shumë shpejt – shumë më shpejt sesa llojet e tjera, ka thënë Ron Balicer, këshilltar për shëndetësi i Qeverisë izraelite.
Megjithëkëtë, mutacionet nuk janë arsye për panik, sikurse as justifikim që njerëzit të mos vaksinohen, ka thënë për agjencinë gjermane Eal Lasem, drejtor i qendrës mjekësore Sheba në Izrael. Vendi i tij ka realizuar studimet më thelbësore dhe më të hershme në botë mbi vaksinën “Pfizer”-“BioNTech”.
“Vaksina në më shumë se 90 për qind të rasteve është efikase dhe e shmang sëmundjen e rëndë. Ndonëse aktualisht ka numër më të lartë të të infektuarve, po shohim vetëm një rritje të lehtë të atyre që po sëmurën më rëndë”, ka theksuar ai për DW-në.
Pra, ata që vaksinohen mund të infektohen me variantin Delta, porse rrjedha e sëmundjes di të jetë e lehtë dhe sipas të gjitha gjasave pa u shtruar në spital.
A duhen vaksinuar edhe fëmijët?
Vaksinat “Pfizer” dhe “Moderna” janë miratuar në Evropë edhe për përdorim te fëmijët, në fakt të adoleshentëve mbi 12 vjeç. Në Gjermani kohë më parë ka nisur edhe imunizimi i fëmijëve.
Ndonëse në raste më të rralla ka edhe fëmijë që e kalojnë rëndë sëmundjen COVID-19, thotë Dominique Wilkinson, profesor i etikës mjekësore në Qendrën e Oxfordit për etikë praktike.
“Studimet tregojnë se ekziston një numër i vogël fëmijësh që për disa javë e madje disa muaj pas infektimit kanë ende simptoma, ndonëse kjo gjë sipas rregullit është më e rrallë se te të rriturit, dhe simptomat rëndom kalohen shpejt”, ka theksuar profesori për DW-në.
Mirëpo ai thotë se kjo nuk është arsyeja e vetme për vaksinimin e fëmijëve.
“Përveç për sëmundjen, do të duhej ta bënim këtë edhe për të qenë të sigurt që arsimimi i tyre nuk do të ndërpritet. Për t’i mbrojtur të tjerët. Pra, ekzistojnë goxha arsye të mira për vaksinimin e fëmijëve”, thekson ai.

Për çfarë duhet të kenë kujdes shtatzënat?
Akëcila grua që është në pritje të fëmijës pyetet nëse vaksina është e sigurt për të dhe për foshnjën.
Asma Khalil i qetëson të gjitha shtatzënat. Ajo është profesoreshë e mjekësisë prenatale në spitalin Saint George në Londër. Sipas saj, shtatzënat në fillim nuk janë vaksinuar në kuadër të studimeve hulumtuese, për të cilën arsye edhe nuk është dhënë miratimi për vaksinimin e tyre. Porse specifikon se gjërat tani janë të qarta.
“Nuk ka arsye që shtatzënat të mos vaksinohen. Tani kemi të dhëna nga më shumë se 100 mijë shtatzëna që kanë marrë vaksina dhe nuk ka dëshmi se ato kanë pasur efekte negative – as për gruan e as për foshnjën”, ka thënë Khalil.
Ajo ka shpjeguar se reagimi i shtatzënave ndaj vaksinave ka qenë tejet i ngjashëm sikurse edhe te gratë e tjera. Edhe mes tyre janë shfaqur numër i njëjtë i antitrupave dhe se nëpërmjet placentës apo përmes qumështit të nënës mund të depërtojnë edhe te fëmijët e porsalindur. Kësisoj ajo thotë se të mbrojtur janë si nëna ashtu edhe fëmija.