Lifestyle

Roli i antitrupave dhe mundësia e riinfektimit me COVID-19

Teksa lajmet për vaksinat e reja potenciale kundër COVID-19, të zhvilluara nga laboratorët kudo përreth botës, duket se janë lajmi kryesor nga dita në ditë, optimistët tanimë kanë nisur që t’i shohin shenjat e para të asaj se jemi duke shkuar drejt lehtësimit të masave kufizuese në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bazuar në shembujt e zbutjes së tyre në Zelandën e Re dhe Australi. Tanimë në mendjet e të gjithëve mbizotëron fraza “strategjia e daljes”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, mungesa e komunikimeve nga Qeveria lidhur me një “strategji të daljes” ka nxitur kritika nga kabineti në hije, ani pse shkencëtarët kanë paralajmëruar se pa “opsione të mira”, shpallja e një strategjie të daljes do të mund të ishte e rrezikshme.

Pjesa më e madhe e debatit rreth asaj se si mund të hiqen kufizimet është përqendruar tani kah nevoja për ndërmarrjen e testeve për antitrupa. Nëse do të ishim në gjendje të tregonim se kush ka qenë i infektuar dhe kush është shëruar, si dhe nëse njerëzit do të shfaqin imunitet kundër prekjes së serishme nga koronavirusi, a do të mund t’i lejonim atëherë njerëzit që të rikthehen në vendet e tyre të punës?

Testet për antitrupa, çelësi

Kjo gjë megjithatë varet nga faktorë të shumtë, përfshirë në këtë mes zhvillimin e një testi të besueshëm për antitrupa. Antitrupat janë proteina të prodhuara nga sistemi imunitar për ta shënjestruar virusin, bakterin apo patogjenët e tjerë në trup. Ata e shkatërrojnë patogjenin, duke e lidhur për të dhe duke e bërë të padëmshëm, apo duke e bërë të qasshëm për asgjësim nga qelizat imunitare. Antitrupat rëndom qarkullojnë nëpër gjak pas një infeksioni, në rast të rikthimit të virusit. Në rast se kthehet, antitrupat janë në gjendje gatishmërie dhe presin, që do të thotë se përgjigjen shumë më shpejt – aq shpejt saqë mezi edhe regjistrohet një infeksion i dytë i mundshëm. Dhe e gjithë kjo nënkupton se pacientët e shëruar kanë rezistencë ndaj riinfektimit.

Fatkeqësisht, puna mund të mos jetë kaq e thjeshtë sa duket, ka paralajmëruar Maria van Kerkhove nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, gjatë fundjavës. Dhe arsyeja pse është kështu, ka të bëjë më shumë me faktin se ky është një virus që kurrë më parë nuk ka qenë i pranishëm në trupin e njeriut, krejt deri në fund të vitit të shkuar.
“Po mësojmë gjatë tërë kohës se si ai sillet dhe çfarë sëmundjeje konkretisht shkakton”, ka thënë Katrina Pollock, hulumtuese e lartë e jashtme e vaksinologjisë në Qendrën për Hulumtime Klinike (NIHR) në Kolegjin mbretëror të Londrës. “Përcaktimi i asaj se kush preket nga sëmundja dhe pse kjo është përnjëmend e rëndësishme, nganjëherë kjo është një pyetje vërtet e rëndësishme”, thotë ajo. “Kur nuk e njihni ndonjë virus – nuk keni qenë në kontakt me të më herët – sistemi juaj imunitar përgjigjet me shpejtësi në kuadër të përgjigjes së parë, që nuk është përgjigje specifike, për kontrollimin e menjëhershëm të infeksionit”, thotë ajo.

Se si i përgjigjeni këtij reagimi të parë, jospecifik, varet krejt nga doza e virusit që keni pranuar, nga prapavija juaj gjenetike dhe nga ajo sesi është programuar sistemi juaj imunitar për t’iu përgjigjur infeksioneve të reja. Të gjitha këto mund të ndikohen nga shëndeti i përgjithshëm dhe mosha juaj dhe që të dyja këto duket se kanë ndikim të veçantë në peshën rënduese të COVID-19.

Ne shfaqim simptoma të ngjashme me gripin karshi infeksionit respirator në këtë fazë të përgjigjes së parë, jospecifike. Ethet, dhimbjet e muskujve dhe nyjave, si dhe lodhja që ndiejmë, por edhe prodhimi i mukozës janë strategjitë e përgjithshme që i zbaton sistemi ynë imunitar për ta neutralizuar një infeksion. Ne mundohemi që t’i bëjmë trupat tanë armiqësorë karshi viruseve, duke e rritur shkallën e temperaturës trupore dhe duke i angazhuar qelizat që i gllabërojnë viruset e të cilat quhen fagocite.

“Në kuadër të kësaj përgjigjeje, një pjesë e sistemit imunitar programohet sikur një softuer programues”, thotë Pollock. “Përgjigja rafinohet dhe zëvendësohet me një përgjigje specifike. Kjo përgjigje specifike mundohet që ta shlyejë tërësisht infeksionin. Shumicën e kohës, kjo gjë mund të bëhet”, shton ajo.
E kjo gjë quhet përgjigje imune adaptuese.

Çelësi i përgjigjes adaptuese janë dy qeliza: qelizat T dhe B.

“Qelizat B janë përgjegjëse për kujtesën, ato prodhojnë antitrupa që janë të ngjashëm specifikisht me antigjenët e gripit dhe ftohjes, gjë kjo që ua lejon atyre që të lidhen me shpejtësi në sipërfaqen e virusit për ta penguar replikimin”, thotë Aikiko Iwasaki, profesoreshë e imunologjisë dhe biologjisë molekulare, qelizore dhe zhvillimore në Universitetin e Yale. Ndërsa, qelizat T i shkatërrojnë në tërësi qelizat e infektuara me virus.

Reagimi ndaj infektimit të dytë, i paqartë

Në këtë mënyrë, për shumicën e viruseve që depërtojnë për herë të parë, trupi kërkon kohë për të zhvilluar antitrupat e nevojshëm, por falë tyre mund të jeni më mirë të pajisur për luftimin e virusit, në rast të infektimit të dytë.

Kjo është vetëm ana teorike, ndonëse në praktikë nuk dihet se si mund të reagojë trupi ndaj infektimit të dytë me COVID-19. Një punim i fundit ka bërë kërkime në këtë drejtim te majmunët resusmakakë, të cilët, pasi të jenë infektuar me virusin për herën e parë, nuk janë infektuar për herë të dytë. Sidoqoftë, këta majmunë i janë ekspozuar dozës standarde të virusit, që do të thotë se shkencëtarët e kanë paracaktuar saktësisht sasinë e virusit që i ka prekur.

Në të vërtetë, doza që mund t’ju prekë ndryshon varësisht nga ajo nëse i keni thithur nga ajri grimcat e virusit apo e keni prekur një sipërfaqe të kontaminuar ose i keni fërkuar sytë, por edhe nga faktorët e tjerë, sa afër i keni qëndruar personit të infektuar, sa ka qëndruar virusi brenda personit tjetër dhe shumë faktorë të tjerë.

Nëse dikush i është ekspozuar vetëm një doze të vogël të virusit në instancë të parë, atëherë kush mund të thotë me saktësi se si mund të reagojnë ata në rast se doza e dytë del të jetë shumë më e madhe.

“Nuk dihet pse disa njerëz kanë simptoma të buta të infeksionit, por një faktor i mundshëm mund të jetë shkalla e ekspozimit”, ka thënë Iwasaki. “Kemi kryer eksperimente te minjtë e ekspozuar karshi gripit; vetëm 10 grimca virale mund të shkaktojnë infeksione asimptomatike, por jo edhe imunitet. Ama më shumë se një milion grimca virale e shkaktojnë prodhimin e antitrupave. E kjo është përgjigje për punën e dozës”, thotë ajo.

Shpresa është se një pacient i shëruar ka zhvilluar mjaftueshëm antitrupa specifikë për COVID-19 për ta luftuar një infeksion të dytë. Sidoqoftë, një studim i kryer me pacientët nga Kina ka treguar se 30 për qind e rasteve të studiuara kanë prodhuar pak apo fare antitrupa të detektueshëm në plazmën e gjakut të tyre. Kjo i bie se këta persona kanë mundur ta neutralizojnë infeksionin pa pasur nevojë që të zhvillojnë antitrupa, qoftë për shkak të përgjigjes së tyre të lindur imunitare apo për shkak të qelizave T, në përgjigjen e tyre adoptuese imunitare, apo edhe kombinimit të të dyjave. Ata me numrin më të ulët të antitrupave ishin kryesisht pacientë më të rinj në moshë.

“Antitrupat nuk janë përgjigjja e vetme”, ka thënë Iwasaki. “Nuk e dimë pse personat shërohen, por dyshoj se ndodh për shkak se kanë përgjigje më të mirë të qelizave T”.\BBC