Lifestyle

Redaktimi i ADN-së, teknikë shpresëdhënëse për trajtimin e kancereve

Një grup shkencëtarësh izraelitë kanë bërë të ditur të kenë zbuluar një “kimioterapi” që mund të shënjestrojë më me saktësi qelizat kancerogjene sesa trajtimet ekzistuese, të cilat ndikojnë edhe në zonat përreth atyre qelizave. 

Teknika, e cila mbështetet në teknologjinë e redaktimit të ADN-së, është përdorur tashmë në minj dhe mund të përdoret edhe tek njerëzit brenda dy vjetëve të ardhshëm, kanë thënë shkencëtarët, njofton agjencia Reuters. 

Profesori Dan Peer, një ekspert i sëmundjeve kancerogjene nga Universiteti izraelit në Tel-Aviv, ka shpjeguar se nuk ekziston “asnjë efekt anësor” nga kjo teknikë dhe se ekspertët besojnë se një “qelizë kanceroze e trajtuar në këtë mënyrë nuk do të bëhet më aktive”, ka raportuar “Times of Israel”.

“Kjo teknologji mund të zgjasë jetëgjatësinë e pacientëve me kancer dhe shpresojmë që një ditë ta shërojë sëmundjen”, ka thënë Peer për gazetën.

Studimi i shkencëtarëve të Universitetit të Tel-Avivit, në bashkëpunim me ata të Universitetit të New Yorkut dhe Shkollës së Mjekësisë së Harvardit është botuar në revistën shkencore “Science Advances”.

Shkencëtarët kanë pretenduar se kjo është hera e parë në botë që teknologjia e redaktimit të gjenomit Crispr, e cila funksionon duke prerë një pjesë të ADN-së, është përdorur në mënyrë efektive për të trajtuar kancerin tek një kafshë.

Profesori Peer ka bërë të ditur se nëse kjo teknologji përdoret, atëherë vetëm pas tri trajtimeve “mund të shkatërrohet një tumor, duke prerë fizikisht ADN-në në qelizat kancerogjene dhe ato qeliza nuk do të mbijetojnë".

Ai ka pranuar se teknologjia duhet të “zhvillohet edhe më tej”, por ka shtuar se pika kryesore nga studimi aktual tregon se teknika mund të “vrasë qelizat e kancerit”.