Lifestyle

Studimi zbulon aftësinë e parazitit ameba për t’u maskuar dhe fshehur nga sistemi imunitar

Ameba (e gjelbra) duke sulmuar një qelizë njerëzore. Fotografi nga Katherine Ralston, Universiteti i Kalifornisë.

Ameba (e gjelbra) duke sulmuar një qelizë njerëzore. Fotografi nga Katherine Ralston, Universiteti i Kalifornisë.

Një zbulim i ri shkencor ka treguar se si paraziti i zakonshëm, ameba Entamoeba histolytica, arrin të mashtrojë sistemin imunitar të njeriut duke marrë pjesëza nga qelizat e organizmit dhe duke i përdorur si maskë për t’u fshehur, ka raportuar Science Alert.

Ky parazit hyn në trup nëpërmjet ushqimit ose ujit të kontaminuar dhe, në shumicën e rasteve, shkakton vetëm diarre të lehtë ose aspak simptoma. Por në raste më të rënda, mund të përhapet në organe nëpërmjet gjakut dhe të shkaktojë komplikime serioze, madje vdekjeprurëse. Nëse arrin në mëlçi, mund të krijojë dëme që çdo vit marrin jetën e afro 70 mijë njerëzve.

Për shumë kohë, shkencëtarët mendonin se E. histolytica i dëmtonte qelizat duke u injektuar një lloj helmi. Por mikrobiologia Katherine Ralston, aktualisht në Universitetin e Kalifornisë, ka vënë në dyshim këtë teori kur, në vitin 2011, vëzhgoi amebën përmes mikroskopit.

“Ajo që pashë ishte diçka krejt tjetër. Paraziti dukej sikur po kafshonte qelizat njerëzore. Mund të shihje pjesë të vogla të qelizës që shkëputeshin”, ka thënë Ralston. 

Sipas saj, “për të zhvilluar terapi apo vaksina të reja, duhet të kuptojmë saktësisht si i dëmton ajo indet njerëzore”.

Edhe më e çuditshme ishte se ameba nuk i hante të gjithë qelizat, por thjesht kafshonte pak nga secila dhe kalonte te viktima tjetër, duke lënë pas qeliza gjysmë që pësonin nga dëmtimet.

“Ajo mund të vrasë çdo lloj qelize njerëzore që i del përpara. Madje kafshon edhe qelizat e bardha të gjakut, që në fakt janë krijuar për të luftuar pushtuesit e tillë”, ka thënë Ralston.

Tani, ajo dhe kolegët e saj, Maura Ruyechan dhe Wesley Huang, kanë zbuluar se kjo sjellje në fakt i shërben një qëllimi: E. histolytica mbledh proteina nga membranat e jashtme të qelizave të njeriut dhe i vendos në sipërfaqen e saj si mburojë. Kjo e ndihmon të fshihet nga sistemi imunitar.

“Sot është e qartë se amebat vrasin qelizat njerëzore përmes një procesi të quajtur trogocitozë, kafshim i pjesëve të qelizës. Pas këtij procesi, amebat shfaqin proteinat njerëzore në sipërfaqen e tyre dhe bëhen rezistente ndaj shkatërrimit nga serumi i gjakut”, shkruajnë autorët e studimit.

Kjo maskë molekulare i lejon parazitit të “mashtrojë” trupin e njeriut, duke përdorur proteina si CD46 dhe CD55 për të imituar qeliza të padëmshme. Është pak a shumë si të veshësh një uniformë sigurie për të kaluar pa u vënë re nga rojet e vërteta. Dhe ndërkohë që “shëtit” në trup, vazhdon të kafshojë qeliza dhe të krijojë dëme në organet që pushton.

Në një eksperiment tjetër, shkencëtarët i lejuan amebat të merrnin materiale nga qelizat njerëzore dhe më pas i ekspozuan ndaj serumit të gjakut të minjve. Megjithëse minjtë nuk janë pritës natyralë të parazitit, maskimi funksionoi edhe atje, çka tregon se sistemi imunitar i minjve ka ngjashmëri të mjaftueshme me atë të njerëzve për të lejuar studime të mëtejshme në modele shtazore.

“Shkenca është një proces ndërtimi. Duhet të ndërtosh një mjet pas tjetrit, derisa të jesh gati për të zbuluar trajtime të reja”, ka përfunduar Ralston.

Ky hulumtim është ende në fazën e pararishikimit nga komuniteti shkencor (peer-review), por është publikuar si parafinal në platformën bioRxiv.